420 fëmijëve të porsalindur nuk iu jepet shpërblimi
POGRADEC -Nëse shkon në zyrën e bashkisë së qytetit në sektorin e llogarisë do të gjesh një "mal" me certifikata, dhe jo pak, por plot 420 të fëmijëve të porsalindur, të cilët sipas një vendimi qeverie duhet të marrin një shpërblim prej 5 000 lekësh të reja. Por viti 2009 po mbyllet dhe janë 420 fëmijë që kjo zyrë pranë bashkisë nuk iu jep shpërblimet e përcaktuara me ligj.
Punonjëset e llogarisë së bashkisë na thonë se vërtet ka një vendim qeverie që çdo nëne të re pas lindjes të marrë një shpërblim prej 5000 lekësh, por ky fond që jepet nga Ministria e Brendshme mungon prej gati një viti dhe ata nuk kanë xhiruar 21 milionë lekë të vjetra që nënat që sapo kanë lindur të marrin shpërblimin.
Nga ana e ministrisë vjen vetëm përgjigjja se do t`i dërgojnë në të ardhmen, por, kur viti po mbyllet, paratë nuk po duken gjëkundi.
*******************************
Shet dashin, merr 22 000 lekë false
ELBASAN - I lumtur se kishte fituar mirë me dashin e shitur, madje nuk ishte lodhur shumë deri në qytet, një 63-vjeçar ka shkuar të blejë harxhimet e fundvitit, por ka zbuluar se paratë që kishte marrë ishin të falsifikuara dhe më pas i është drejtuar policisë.
Mësohet se në fshatin Fierzë, kur fshatari po udhëtonte drejt tregut të bagëtive është përballur me dy persona, të cilët i kanë dhënë pazar duke ia blerë dashin dhe më pas janë larguar me një mjet tip "Benz".
Kanë qenë 22 mijë lekë të reja, të cilat kanë rezultuar 19 copë 1 mijë lekëshe dhe 6 kartëmonedha 500-she që rezultojnë të falsifikuara. Policia ka grumbulluar provat dhe po heton për kapjen e autorëve.