E Diel, 1 Nëntor 2026

Letërsia, 15 qershori mbyll fazën e vlerësimit

Afishimi i listës së notave të maturantëve do të bëhet në shkollat përkatëse

Ankthi i maturantëve pritet të përfundojë pas pesë ditësh. Sipas drejtorit të arsimit parauniversitar, Fatmir Vejsiu, procesi i përfundimit të vlerësimit të tezës së letërsisë parashikohet që të mbyllet më datë 15 qershor. Afishimi i listimit të notave të maturantëve do të bëhet në shkollat përkatëse të tyre. Specialistët e përzgjedhur nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, kanë filluar korrigjimin e tezave që më datë 4 qershor. Bazuar në rregulloren e Maturës Shtetërore, afati final për mbylljen e korrigjimeve dhe afishimit të tyre është data 19 qershor, edhe pse pritet që përfundimi i tij të jetë para afatit të përcaktuar, pra më datë 15 qershor. Praktika që është ndjekur gjatë vlerësimit të këtyre tezave ka qenë e ndryshme nga ajo e viteve të kaluara. Ministria e Arsimit këtë vit është treguar tejet e kujdesshme në mënyrën se si do të procedohej, me qëllim arritjen e një procesi transparent. Korrigjimi do të kalojë në tri “faza”. Kjo nënkupton që procesi i vlerësimit të tezave për këtë vit do të jetë i dyfishtë, por nuk përjashtohet edhe një vlerësim i trefishtë në rast se do të jetë e nevojshme. Faza e parë është ajo e korrigjimit nga një mësues i kualifikuar, i cili nuk ka të drejtë të vendosë notë, por vetëm të bëjë shënime për parregullsitë që konstaton. Ai do të përdorë një ngjyrë të caktuar te shënimet që bën, në mënyrë që kur teza të kalojë në fazën e dytë, pra tek një specialist i kualifikuar i fushës, të mos ketë keqkuptime në vlerësim. Kështu i dyti do të përdorë një ngjyrë tjetër, të dallueshme nga e para tek të gjitha ato përgjigje që janë të gabuara, duke përfshirë edhe ato që janë të korrigjuara nga vlerësuesi i parë. Pas kësaj, sipas Ministrisë së Arsimit, do të vërehen me shumë kujdes të gjitha shënimet e bëra nga dy vlerësuesit. Nëse korrigjimet e tyre, rakordojnë me njëra-tjetrën, nuk do të kalohet në një vlerësim të tretë, në të kundërt çdo tezë që do të ketë probleme të këtij lloji, do t’i nënshtrohet edhe një vlerësimi të tretë, që do të vendosë përfundimisht notën përkatëse. Provimi i dytë i detyruar i Maturës Shtetërore, ai i matematikës, do të zhvillohet më 15 qershor, ndërsa testet me zgjedhje në datën 20 qershor.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›