Prizren, arrestohen pesë aktivistë të Vetëvendosjes
Policia e Kosovës arrestoi dje në Prizren pesë aktivistë të lëvizjes “Vetëvendosje”. Arrestimet e aktivistëve, sipas lëvizjes, kanë qenë të dhunshme dhe kanë ndodhur shumë pak minuta nga mbyllja e demonstratës paqësore që kjo lëvizje organizoi me rastin e 132-vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, për identitet e dinjitet kombëtar, në të cilën morën pjesë mijëra shqiptarë nga të gjitha trevat shqiptare, të cilët kundërshtojnë ndryshimin e stemës së komunës së Prizrenit. Lëvizja bën të ditur dhe emrat e aktivistëve të arrestuar. Këta janë Durim Xhemajli, Durim Jasharaj, Arianit Sadiku, Muhabet Shemsiu, Hekuran Sejfullahu.
Në një komunikatë të “Vetëvendosjes”, theksohet se “Udhëheqësia politike e Kosovës jo vetëm po na sjell vendime antishqiptare, por po i mbron ato edhe me kërcënime policore dhe arrestime. Në këtë mënyrë, ky regjim politik jo vetëm po na shkombëtarizon, por edhe po i terrorizon e frikëson qytetarët me arrestime, ashtu që të ta japin porosinë se të jesh shqiptar dhe ta mbrosh identitetin tënd tashmë është edhe e ndëshkueshme. Me të njëjtat mënyra është munduar edhe Rankoviçi e Milosheviçi, gjatë kohës të së cilëve të ishe shqiptar dhe ta afirmoje identitetin e kërcënuar shqiptar, do të thoshte të përballeshe me shtypjen, arrestimin dhe burgun. Por, të gjithë ata që janë munduar ta zhbëjnë identitetin shqiptar deri sot, kanë dështuar, dhe aspak ndryshe nuk do ta kenë fatin as robotët e sotshëm antishqiptar”.
#