Letërsia shqiptare në “Kritikën e përkthimit”
24/06/2009 Letërsia shqipe dhe përkthimi i saj në gjuhën angleze për herë të parë zënë vend në faqet e revistës “Translation Review” (“Kritika e përkthimit”). E cilësuar si revista më e madhe në botë për përkthimin nga gjuhët e tjera në anglisht, “Kritika e përkthimit” botohet prej 30 vjetësh nga Universiteti i Teksasit, në Dallas të SHBA-ve. Numri i 76-të i kësaj reviste, që publikohet dy herë në vit, i është kushtuar tërësisht letërsisë shqipe dhe përcjelljes së saj në botën anglishtfolëse, vështirësive të përkthimit etj. Në kopertinën e revistës në vijim të kësaj ideje është vendosur një vepër e piktorit dhe skenografit shqiptar Andis Gjoni, e titulluar “Dedalus”. Në brendësi “Kritika e përkthimit” hapet me një shkrim të albanologut, shkrimtarit dhe përkthyesit Robert Elsie. Në artikullin e tij Elsie, një prej përkthyesve kryesorë të letërsisë shqipe në anglisht, bën një rishikim të shkurtër të letërsisë shqipe në botën anglishtfolëse nga viti 1595, kur dhe u përkthye vepra e parë në këtë gjuhë (“Historia e Skëndërbeut” e Marin Barletit) deri në ditët e sotme. Ai ndalet në përkthimin e “Këngëve të kreshnikëve”, “Lahuta e Malësisë”, “Bagëti e Bujqësi”, pjesë nga vepra e Migjenit, Koliqit etj. Për t’u ndalur edhe në periudhën e socrealizmit me përkthimet e veprave të shkrimtarëve Ismail Kadare, Fatos Kongolit etj. Pjesë nga vepra e shumë autorë të tjerë, si Elvira Dones, Kim Mehmeti, Ylljet Aliçka, Lindita Arapi, Eqerem Basha, Fatos Lubonja, Teodor Laço, Dritëro Agolli etj., janë përfshirë në një antologji. Sipas Elsies, me gjithë përpjekjet e bëra nga shkrimtarë, përkthyes apo botues në hapësirën shqiptare e më tej, letërsia shqiptare ende nuk është shumë e njohur në botën anglishtfolëse. Si e tillë, ajo është një terren që ka shumë për t’u zbuluar. Në 82 faqet e revistës paraqiten një sërë artikujsh rreth kësaj problematike, të përgatitur nga përkthyes të letërsisë shqipe, si Gjekë Marinaj, Frederik Tërneri, Piter. R. Prifti, Peter Morgani etj. Kjo problematikë e përkthimit është parë edhe nëpërmjet syve të vetë shkrimtarëve. Kështu, Ismail Kadare në intervistën dhënë për Gjekë Marinajn vlerëson rolin që luajnë përkthyesit në karrierën e çdo shkrimtari. Një rol i rëndësisë së parë dhe unik për fatin e çdo shkrimtari dhe njohjen e tij në botë. Nga ana tjetër, Frederik Tërneri, i cili së bashku me Gjekë Marinajn kanë sjellë në anglisht disa prej poezive më të bukura të traditës e folklorit tonë, ndalet te metoda që ai ka përdorur për përkthimin e poezisë popullore shqiptare. Të tjerë përkthyes të letërsisë shqipe, si Ron Berisha, Peter Golub dhe Laura Bouers, kanë bërë një rishikim të veprave të Rudolf Markut, Luljeta Lleshankut dhe Mujë Buçpapajt. Botim i Universitetit të Teksasit në Dallas, “Kritika e përkthimit” është revista zyrtare e Shoqatës së Përkthyesve Letrare Amerikanë, organizatë prej 80 mijë anëtarësh, shumica akademikë që paguajnë 60-80 dollarë në vit për anëtarësim. Ajo shpërndahet falas tek ata dhe në shumicën e librarive të universiteteve dhe qyteteve në Amerikë dhe Kanada. Botimi i këtij numri lidhur me përkthimin e letërsisë shqipe në botën anglishtfolëse, është bërë i mundur falë punës së Gjekë Marinajt, një prej poetëve më të lexuar të viteve të fundit, i cili njëkohësisht ka dhënë kontribut edhe në përkthimin në anglisht të veprave të disa autorëve shqiptarë dhe poezisë sonë popullore.