E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prostituta ukrainase dhe i dashuri italian, vrasin tutorin shqiptar

24/06/2009  Ngjarja ka ndodhur vitin e kaluar. Nga hetimet policia identifikoi autorët e masakrës

KAZERTA- Një italian dhe një vajzë ukrainase janë arrestuar nga policia italiane e Kazertas, pasi akuzohen se janë autorët e vrasjes së shqiptarit Jeton Osmani. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në zonën e Kazertës në Itali, ku trupi i pajetë i 28-vjeçarit Osmani u gjet më 23 prill të vitit të kaluar. Lidhur me këtë ngjarje autoritetet policore të zonës për gati 1 vit e gjysmë, kanë kryer një sërë veprimesh hetimore nga të cilat më së fundi kanë marrë dhe “frytet” e duhura nga puna e tyre. Sipas raportimeve të mediave italiane, dy personat që kanë kryer ekzekutimin e 28-vjeçarit shqiptar, janë italiani me inicialet C.G. 42 vjeç dhe shtetasja ukrainase me inicialet M.S. 39 vjeç. Pasi kishin zbuluar identitetin e viktimës, hetuesit kishin arritur të ndërtonin edhe dinamikën e krimit. Sipas karabinierëve, shtetasja ukrainase prej disa vitesh punonte në zonën e Kazertas si prostitutë. Ajo administrohej dhe kontrollohej nga 28-vjeçari shqiptar Jeton Osmani. Mirëpo gjatë ushtrimit të prostitucionit në rrugë, shtetasja ukrainase ka mundur të kryejë herë pas here marrëdhënie seksuale me shtetasin italian C.G. Pikërisht gjatë këtij afrimiteti dy të arrestuarit kanë rënë në dashuri me njëri-tjetrin dhe gjatë kohës në vazhdim, ata kanë thurur plane për mënyrën e largimit të 39-vjeçares nga shtetasi shqiptar Jeton Osmani. Me gjithë paralajmërimet e shqiptarit, prostituta ukrainase nuk ka hequr dorë nga lidhja e dashurisë me klientin e saj. I ndodhur në këto kushte, por edhe nga frika se ukrainasja mund të kryente më pas ndonjë denoncim ndaj tij, 28-vjeçari Jeton Osmani ka vendosur që të hyjë në banesën ku 39-vjeçarja priste klientët, dhe të kapë “mat” atë së bashku me shtetasin italian. Mirëpo, përkundër këtij plani kishte menduar shtetasi italian dhe prostituta ukrainase, të cilët menjëherë sapo shqiptari është futur në banesë e kanë goditur atë disa herë me thikë duke i shkaktuar vdekjen. Pas këtij krimi, të dy së bashku ata janë larguar në drejtim të paditur. Policia tha se në momentin e arrestimit italiani dhe ukrainasja ishin në banesën e tyre, ku ata jetonin që prej kohës kur kishin kryer vrasjen. Prokuroria e Santa Maria Capua Vetere ka ngritur mbi ta akuzën e “vrasjes me paramendim” të kryer në bashkëpunim.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›