E Diel, 1 Nëntor 2026

Letra e Hapur (me leje) e Braçes, përmbush (edhe në gjatësi) standardet e Koçi Xoxes

30-06-2011 / Nga Lavdrim Lita

Rikthimi i letrave të hapura në domenin publik ka infektuar edhe deputetin e PS-së Erjon Brace, i cili i ka drejtuar një letër as më shumë e as më pak shefit të tij Edi Rama me temë: Fajin e ka Saliu, por ne duhet të kthehemi në parlament! Në 7 pika deputeti i Beratit Braçe, që ngjan si një Koçi Xoxe i Partisë Socialiste prek çështje me interes të javës së fundit, ku sipas tij, Partia duhet të kishte një qëndrim publik dhe politik, dhe jo të gjallojë një kllapi. Me një gjuhë të shtruar dhe të argumentuar deputeti Brace thotë se bojkoti ishte dhe është një çmenduri. Sigurisht ngjyen me bojë faktin se Berisha dështoi. Është protokolli i zakonshëm i daljeve për shtyp të PS-së që shajnë një çikë kryeministrin.
Mirëpo për dështimin politik të PS-së dhe për detyrën në kuvend harrojnë të japin një xhevap? Si gjithmonë. Kur kostoja 2-vjeçare e agjendës konfliktuale të Ramës me bojkot të Kuvendit dhe ligjeve, me protesta dhe greva urie, me bllokime rrugësh dhe djegie gomash, demonstrata të dhunshme dhe funebër, deri tek kinse revoltat popullore, janë një barrë e rëndë për integrimin europian dhe financat shqiptare.
Sigurisht letra e hapur nuk cek aspak faktin që opozita në sajë të politikës së bllokimit, të dëmtimit dhe krijimit të frikës, ka larguar tutje investitorët e huaj, dhe i ka dhënë një goditje fatale industrisë së turizmit nëpërmjet prodhimit të imazheve të terrorit. Demonstrata e 21 janarit ishte kulmi. Natyrisht Braçe ziu përmendi borxhin publik dhe FMN-në, por harroi kostot që opozita i shkaktoi buxhetit nëpërmjet demonstratave agresive, penguese të reformave, aq të nevojshme për çlirimin e ekonomisë nga dara e evazionit fiskal dhe arbitrariteti shtetëror. Mjaftonte votimi i Gjykatës Administrative, dhe jo bojkotimi i ligjeve që duan 84 vota për sjellë një erë ndryshimi në ekonominë reale të vendit.
Afërmendsh letra e hapur e Erjon Braçes ndaj Edi Ramës (botuar sidozot edhe tek ZP-ja e Edvinit) është një krijesë e vetë Ramës, ngase mund të shërbejë për të eklipsuar deklaratat e deputetëve të asaj që quhej Lëvizje për Mendim Ndryshe, dhe për të justifikuar fushatën brendshme të spastrimeve. Nuk është herë e parë që në PS janë përdorur shkurtabiqë moralë ose aparatçikë të vjetër, që shërbejnë në çdo intrigë si matës të pulsit të bazës dhe forumeve të ndryshme. Kujtojmë se Erjon Braçe gjendet jo vetëm në forumet reale, si Asambleja e PS-së, por edhe në ato virtuale sikundër është rrjeti social “facebook” ku ai është një veprimtar i zellshëm kundër mendimin ndryshe. Në ditarin e përditshëm ai sulmon deputetë si Andis Harasani apo Kastriot Islami, me qëllim neutralizimin dhe izolimin e tyre nga skena publike. I quan renegatë, mohues dhe deri tradhtarë të kauzës së socializmit.
Sidoqoftë prapaskena dhe pasoja publike e kësaj letre të hapur drejt lidershipit socialist do të shikohen në mbledhjen e Asamblesë, e cila do të thirret kur t’i teket Edi Ramës. Mirëpo një gjë mund të thuhet paraprakisht. Edi Rama po kërkon me çdo kusht të fitojë sekondat, minutat, orët dhe ditët, për t’i shpëtuar imazhit të humbjes.
Ai ka nevojë për kohë si njeriu që kërkon ujë në shkretëtirë derisa të gjejë një alibi tjetër, pas kutisë dhe gjakut. Ndërsa skena e politikës së madhe u delegohet për ca ditë rrathëve të dyta, si Fatmir Xhafa apo Arben Ahmetaj që mund të investohen në pseudo-kërkesa në KQZ e në Kolegjin Zgjedhor dhe për të aktruar në skenarët grekë të falimentimit ekonomik, pa e patur problem për koston politike.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›