PD, Tabaku: Qytetarët shqiptarë nuk kanë më nevojë për beteja politike

“Edi Rama, presion të egër për të grabitur fitoren e kundërshtarit”
Partia Demokratike nëpërmjet kryesueses së listës së këshilltarëve bashkiake të bashkisë së Tiranës, Jorida Tabaku deklaroi se edhe gjatë ditës së djeshme kryesocialisti Edi Rama, shpalosi akuza të pabaza dhe false. Reagimi i Partisë Demokratike erdhi menjëhere pas deklaratës së sekretarit për çështjet ligjore të Partisë Socialiste Fatmir Xhafa, duke u shprehur në kundërpërgjigje se, “Në një përpjekje të dëshpëruar dhe të papranueshme Edi Rama bëri presionin më të egër ndaj institucioneve të pavarura të vendit, për të grabitur fitoren e kundërshtarit dhe për të fiksuar rezultatin e zgjedhjeve vetëm në favorin e tij. Partia Demokratike vazhdon të presë me qetësi e maturi përfundimin e procesit, duke u distancuar nga taktikat shantazhuese dhe britmat e Edi Ramës”.
Sipas Tabakut , retorika e dalë jashtë kontrollit, akrobacia dhe manipulimi me faktet mund të jenë standardet konstante me të cilat sillet Rama, duke theksuar se kjo taktikë nuk funksionon më dhe se qytetarët shqiptarë nuk kanë më nevojë për beteja politike. Më tej ajo shtoi gjithashtu se, dita- ditës qytetarët po shohin se dëshpërimi i Ramës po rritet çdo ditë për shkak se kryeqytetasit u shprehën me zërin e tyre.
“Ndoshta, Edi Rama do të pëlqente një rezultat të fiksuar paraprakisht në favor të tij, por është e qartë se në një demokraci, janë qytetarët ata që zgjedhin fituesin dhe jo politikanët. Sot, Edi Rama tentoi të servir trillimin e radhës për procesin duke u përpjekur ta përbaltë dhe ta nxijë atë, pasi prej tij rezultoi humbës”, theksoi Tabaku.
Po në këtë linjë ajo nënvizoi më tej se askush nuk i beson këtyre trillimeve bajate dhe se të gjithë qytetarët e panë me sytë e tyre se këto zgjedhje ishin të lira, të drejta dhe transparente, pasi ishin miliona shqiptarë që morën pjesë në këto zgjedhje. Ndër të tjera kryesuesja e listës së këshilltarëve bashkiake të bashkisë së Tiranës, Tabaku i cilësoi veprimet e kreut të selisë rozë si një përpjekje për të larguar vëmendjen nga pyetjet të cilave ai nuk iu përgjigj kurrë, duke renditur disa të tilla.
“Kur ka filluar të besojë Edi Rama se ai duhet të vendosë rezultatin e zgjedhjeve, dhe jo qytetarët? Përse Edi Rama sulmon KQZ-në, kur ky institucion u urdhërua nga Kolegji Zgjedhor të numëronte votat, pas kërkesës që vetë Edi Rama bëri në gjykatë? Përse Edi Rama i bën presion Kolegjit Zgjedhor, kur i gjithë komuniteti ndërkombëtar ka kërkuar nga partitë politike të heqin dorë nga shantazhi ndaj institucioneve të pavarura dhe të pranojnë vendimet e tyre, veçanërisht të Kolegjit Zgjedhor? Përse Edi Rama nuk pranon rezultatin e zërit të qytetarëve, themelin e vërtetë të Demokracisë?”.