Letra/Sa keq u ndjeva kur Tirana festonte e Prishtina pushoi
Ashtu si çdo të diel, ku administrata, dyqanet, shkollat dhe institucionet e tjera në Kosovë bien në qetësi, edhe të dielën e 5 prillit Prishtina dhe qytetet e tjera të shtetit më të ri në Botë, e presin këtë fundjavë në qetësi. Shqipëria në NATO konsiderohet si më e rëndësishmë për Shqipërinë pas shpalljes se pavarësisë më 28 Nëntor 1912. Me 4 dhe 5 prill, Tirana u mbush me qindra mijëra qytetarë, për të festuar këtë ngjarje kaq të rëndësishme, kaq unike, këtë arritje për shtetin shqiptar. Deklaratat publike të lidershipit shqiptar, të shoqëruara nga fishekzjarre, koncerte e një sërë aktivitetesh të ndryshme festive, sjellin rrahje të forta zemre te shqiptarët.
Por, Kosova, ashtu si çdo të diel, pushon... Rrugët e kryeqytetit dhe të qyteteve të tjera vazhdojnë qetësinë, vazhdojnë rutinën e zakonshme të fundjavës. Po t’i hedhim një mendje ose një sy arkivave shumë të freskëta, siç është ngjarja historike e pavarësisë së Kosovës, shohim Shqipërinë në shesh, shohim qytetarët në kulmin e lumturisë dhe festimit. Ne datën 17 shkurt të vitit 2008, axhenda e Shqipërisë ishte e tejmbushur, madje edhe te qytetarët e thejshtë. Në ditarët e tyre atë ditë ata shkruan: “ Sot shpallet Pavarësia e Kosovës. Unë dhe familja ime sot do të festojmë”. Kjo festë ka vazhduar edhe në një vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, ku mediat e hapnin çdo edicion të lajmeve me lajmin e festimeve të mëdha që po bëheshin në Kosovë, Maqedoni por edhe në Shqiperi. Edhe në këtë përvjetor, shqiptarët mbushën sërish sheshet dhe bulevardet kryesore per te festuar këtë ngjarje historike te shqiptarëve të Kosovës.
Ndërkohë për hyrjen e Shqiperisë në Aleancën Euroatlantike, shqiptarët e Maqedonisë organizojnë koncerte, festojnë dhe i gëzohen kesaj dite tejet të rëndësishme për shqiptarët, Kosova vazhdon gjumin e vet të thellë. Një sy mbyllë e një vesh shurdh. Disa deklarata urimi dhe kaq. Po ku qëndron problemi, pse kjo neglizhencë? Të themi se qeveria dhe politika e ka fajin është shumë e lehtë. Por ne po flasim për vëllezërit shqiptarë, për ata që na kanë dhënë aq shumë. Po ta mendojmë më thellësisht, na kthehen në memorie shumë gjëra, shumë ngjarje, shumë fytyra njerëzish. Të imagjinojmë sikur të mblidheshin për të festuar për Shqipërinë, vetëm shqiptarët e Kosovës që gjatë kohës së luftës kanë gjetur një strehë, një pushkë, një gotë ujë e një mbështetje tek vëllezërit e Shqipërisë. Merret me mend se në këtë rast, Kosova do festonte e do buçiste nga festa.
Por… Edhe ata qytetarë po pushojnë, po i kënaqen qetësisë.
Në fakt, është shumë e çuditshme, e pakuptueshme. Nuk pajtohem me asnjë argument, me asnjë arsyetim, madje as me fajin jetim. Të gjithë ata kosovarë që jetojnë, studiojnë e punojnë në Shqipëri, u ndien të turpëruar, u ndien të vegjël, memecë përballë këtij fakti.
Aq pak vlerë e rëndësi paska për ne Shqipëria shtetërore dhe arritjet e saj?
Të pakten më falenderues të tregoheshim ne shqiptarët e asaj ane të kufirit londinez për ato çfarë bëri dhe po vazhdon të bëjë ajo për Kosovën? Më vjen turp të përballem me kolegët e punës këtu në Tiranë. Nuk kam argumente, nuk kam armë të mbrohem, madje as armë të ftohtë.
Sot, Kosova ime, më vjen turp!
...