Komunistët dhe fanatizmi i tyre enverist

Në një emision televiziv mengjesor, nga ata me telefonata, me 6.04.2009 biseda u përqendrua, natyrisht, për temën e anëtarësimit tonë, me të drejta të plota e të barabarta, në NATO.
Kuptohet se entuziazmi i telefonuesve ishte në zenit. Një gëzim i vetvetishëm, i papërmbajtur. Festë madhështore édhe në atë stacion televiziv. Folësit përcaktonin një pjesëmarrje prej 150-200 mijë vetash, të cilëve u ndriçonte fytyra, brohoritës të sinqertë, të lumtur si rrallëherë për një ngjarje historike të përmasave të 28 Nëntorit të vitit 1912, - siç u shpreh Sali Berisha. Por, siç u vu në dukje nga tërësia e pjesëmarrësve në forum, jo të gjitha mediat e shkruara ishin përfshirë nga e njëjta haré. Madje u përmend me emër një gazetë mjaft e majme në pasurinë e saj, që drejtohej nga një italian, i rreshtuar dukshëm në të majtën, të cilit nuk po ia përmend emrin, për etikë gazetareske (jemi gazetarë, edhe ata të gazetës së tij, edhe ne). Folësit argumentonin se në atë gazetë, vihej ré njëanshmëria qysh në faqen e parë, në të cilën mungonte edhe ana pamore, sepse nuk u gjend dot asnjë foto për ta dhënë objektivisht atë manifestim popullor. Mund të thuhej se atë denduri personash mezi e nxinte i gjithë sheshi “Skënderbeu”. Xhelozia partiake e çoi njërin nga telefonuesit që të vërente se përse nuk u ftuan edhe politikanë të së majtës, në këtë festë. Por bashkëfolësit e tjerë e sqaruan, fare shkurt: “Le të urdhëronin. Askush nuk i ndalonte. Por ata e bënë veçmas “festën e tyre“, një ditë më parë. Për më tepër ata, të majtët, e bënë të ndarë më dysh: PS-ja më vete, LSI-ja më vete.
Pra, pyetja ishte e pavend. Por majtistët janë mësuar që të jenë kundërvënës dhe nuk dinë t’i japin Cezarit atë që i takon Cezarit, - siç është një shprehje latine. Në këtë hulli, një ziliqar, foli në këtë emision, duke shfaqur hapur pakënaqësinë „për shpenzimet e mëdha“ të festës.
Si nuk i vajti ndër mend këtij fanatiku partiak që të mendonte se me ç’pare janë bërë udhëtimet e Edvinit në të gjitha skajet, në të gjitha zgëqet e cepat e vendit, me autokolonat e tij e me autobusët e mbushur me piciruket me xhufka! E. Rama, jo vetëm që s’vinte asnjë lek nga xhepi për këto shpenzime, por nënshkruante edhe në borderonë e bashkisë për rrogën vetjake, paçka se ai ikte në orar të punës jo me javë, por me muaj e me muaj të tërë, për propagandë zgjedhore para se të fillonte fushata, propagandë e cila maskohej në këshillat që u jepte fshatarëve për mbjellje e për korrje, gjë që i bënte fshatarët që t’i thoshin njëri-tjetrit: “Kësaj i thonë: Hajde baba të të tregoj arat!”. Po rrogën e kryepartiakut, a e merrte ky “kursimtar” që bëhet hovardar me paret që s’i takojnë e t’i duken shumë edhe ato dhjetë eurot për kartat elektronike, ndonëse Doris Pak-u i kishte quajtur “simbolike”, se ishin ku e ku, nën kosto? Qeveria e Berishës e zvogëloi pagesën e këtyre dokumenteve biometrike gjer në një masë të papërfillshme. Dhe majtizmi propagandistik i binte gjoksit me grusht: “Ja, ua thamë né”, me domethënien “të na i dijë neve për nder, ky milet!”. Përse nuk i ndan pa lekë ato copa letrash (të identiteteve të Gjendjes Civile), që hyjnë në arkën e bashkisë? Përse ky “kursimtar” i lekëve të popullit, i ka trefishuar taksat bashkiake?!
Në këtë arsyetim hyn edhe ai turivaruri anti-NATO, që tha, në emisionin e lartpërmendur: “U bë gjithajo festë, por a nuk mendon ky popull se nga xhepat e tij do të dalin edhe taksat që merr për anëtarësinë në të, kjo organizatë e Atlantikut të Veriut?”. Ky hipokrit, që paguan kuotizacionet në partinë e tij të Hysni Milloshit (apo të Edit, njësoj është), duhet ta dijë se paguhej edhe për Organizatën luftarake me emrin e Paktit të Varshavës, e cila ishte për t’i rregulluar kufijtë sipas oreksit të baba Stalinit dhe nuk ishte paqeruajtëse, si NATO. Por mendon me trutë e Enver Hoxhës dhe nuk i shkon mendja, për asnjë çast, se sa shpenzime ka bërë NATO për të jetësuar lirinë e Kosovës dhe lirinë e kombit shqiptar (sepse kosovarët janë shqiptarë; apo janë serbë, shoku enverist). Njerëz të tillë, edhe po ta dinë se ç’përfitime ekonomike do të kemi ne nga këto anëtarësí (në shumës, se na pret edhe anëtarësia në BE), janë si ajo beratasja, që ulërinte për mospërçarje të majtizmit, pa le “të mbeteshim pa bukë, pa ujë e pa drita, vetëm pushtetin të kishim!”. Kjo është motoja e pashprehur (por duhen të sinqertët budallenj që ta nxjerrin në dritë), e majtizmit tonë, që e ka në trurin e pashërueshëm të anëtarëve të saj sindromën e pushtetit. Enverizmi është antishqiptarizëm. Ai ia dhuroi ofiqin e sekretarit të parë të Partisë së tij, mareshalit Tito, vetëm që të kishte pushtetin, paka se në suazën e Republikës së shtatë jugosllave! (Njollën e kësaj tradhtie kombëtare të bashkëshortit të saj, nuk është orvatur ta shlyejë dot as Nexhmije Hoxha!)
...