Ode kushtuar Rrugës Durrës-Morinë, mrekullisë shqiptare
Pak Histori - Një popull liridashës dhe me vlera properëndimore me emrin burimor shqiptar, e me emër ndërkombëtar “albanian” me shekuj të tërë vuante, duronte të keqen, nëpërkëmbej, nënçmohej, burgosej, torturohej, vritej, ndiqej nga trojet autoktone, terrorizohej, përjetonte krimin, gjenocidin dhe spastrimin etnik nga armiqë të ndryshëm. Ky popull nuk jetonte as në Afrikë, nuk jetonte as në ndonjë cep të Azisë, nuk jetonte as në ndonjë ujdhesë të vetmuar, i rrethuar me piratë, nuk jetonte as në ndonjë planet të një galaksie të panjohur ku shqiptarët si qenie humane po sundoheshin nga qeniet johumane, por jetonte në kontinentin e quajtur Evropë e që ishte pjesë e një planeti të quajtur “Tokë”. Dhe kjo Evropë dhe kjo “Tokë” ishte e padrejtë ndaj qenies së saj njerëzore, civilizuese dhe kombëtare. Qenia shqiptare kishte nevojë për ndodhjen e mrekullirave.
Mrekullia e I (e gjysmë) - Shpesh, gjatë jetës më kujtohej dhe cka është e vërtetë, edhe e admiroja “dialektikën” e Hegelit sepse më reflektonte gjasat për ndryshime dhe evoluimin e çështjes shqiptare dhe pse jo, pozitivitetit të gjithckajes. Fatmirësisht, fillimi i shekullit XX për një pjesë të këtij populli ishte shenjë e parë se procesi i dialektikës po bëhej realitet për cështjen shqiptare. Në fillim të shekullit XX, një pjesë e kombit tim fitoi pavarësinë. Padyshim që për gjeneratat e asaj kohe, që e përjetuan këtë ngjarje historike madhore e të papërsëritshme, paraqiste një ngjarje planetare në qenien e tyre të brishtë, të paprishtë, bujare dhe me shpirt jo pushtues. Mrekullia ndodhi.
Megjithatë, pjesë të tjera të popullit tim mbetën nën kthetrat dhe mizoritë e pushtuesve dhe sunduesve të ndryshëm.
Nënçcmimi, terrorizimi dhe gjenocidi vazhdoj të praktikohej në ta duke ngulfatur vlerat e tyre njerëzore, kulturore, demokratike, liridashëse, sociale e ekonomike. Pjesa e pavarësuar e shtetit dhe e qeniesë shqiptare nuk kishte mundësi që ta ndihmonte pjesën e pambrojtur, për arsyet nga më të ndryshmet, qofshin ato objektive, subjektive, të rrethanave dhe konstelacionit ekzistuese të forcave, interesave të ndryshme rajonale e globale etj etj.
Në fund të shekullit XX ndodhi edhe një “gjysmë mrekulli” me shtetin e pavarësuar në fillim të shekullit XX. “Gjysmë mrekullia” pasqyrohej në depërtimin e frymës së demokracisë, që zëvendësoi socializmin më mizor që praktikohej në shtetet e Evropës socialiste, që kishte shtypur së tepërmi vlerat kombëtare, civilizuese, morale, fetare, njerëzore.
Mrekullia e II - Pjesa tjetër e popullit tim ku bëja pjesë edhe unë, familja ime, të afërmit e mi, shoqeria ime, bashkëkombasit e mi me emra, ndjenja dhe qenie shqiptare vazhdoi të vuante, të terrorizohej dhe të përjetonte gjenocid. Por, edhe kjo pjesë si pjesa tjetër e popullit tim ishte e pathyeshme në rrugën e saj drejtë idealit të lirisë, demokracisë dhe mbrojtjes së qeniesë së saj njerëzore dhe kombëtare, duke ngritur dhe duke avansuar format e rezistencës ndaj së keqes së Ballkanit, të quajtur Serbi. Koha ndryshonte dhe punonte në favor të faktorit shqiptar, dhe tani, pjesa e pavarësuar kishte mundësi mbështetjeje dhe përkrahjeje të pjesës tjetër ende të robëruar. Në këtë rrugë të shenjtë, u zgjua nga letargjia dhe padrejtësia e së kaluarës dhe të tashmes edhe bota perëndimore me në krye SHBA-të, duke parandaluar gjenocidin dhe holokaustin ndaj kësaj pjese të qeniesë shqiptare civilizuese dhe properëndimore. Episodi i parë i mrekullisë së dytë për popullin tim, ndodhi në vitin e fundit të shekullit XX, pothuajse 90 vjet pas mrekullisë së parë, me hyrjen e ushtrive demokratike ndërkombëtare në Kosovë. Ndërsa, episodi i dytë e i fundit i mrekullisë së dytë, ndodhi në fillim të shekullit XXI, pothuajse një shekull pas mrekullisë së pare shqiptare, me pavarësimin e Kosovës. Rruga e tmerrshme e kaluar me shekuj nuk do të harrohet kurrë, dhe as atëhere, jo. Por, tani, mendjet dhe energjitë tona duhet të mbisundohen dhe përqëndrohen drejt ndërtimit të një ardhmërie të ndritur demokratike, civilizuese, integruese, paqësore.
Mrekullia e III - Besoj tepër shumë, pa kurrfarë dyshimi dhe kalkulimi se baza dhe parakushti elementar për të ndodh mrekullia e tretë do të duhej të quhet, zhvillim ekonomik. Të dy shtetet, tani të pavarësuara, vuajnë ende nga moszhvillimi ekonomik dhe diferenca e madhe zhvillimore me vendet e rajonit e mos të flasim për Evropën. Të dy shtetet përpiqen të zhvillojnë ekonomitë nacionale dhe private. Por, për të shpejtuar zhvillimin ekonomik dhe integrimin evropian, sipas mendimit tim po mungon ende dicka thelbësore.
Po mungon mrekullia e tretë për popullin tim! Diçka që nxit rrënjësisht zhvillimin ekonomik? Por, jo…
Jo, jam shumë i bindur, se mrekullia e tretë po ndodh, dhe do të përfundojë së ndodhuri këtë vit. Pra, vitin “2009” do ta shënojmë me numra të artë ne, dhe të gjitha gjeneratat e ardhshme të Shqipësië së Lirë, të Kosovës së Lirë, të shqiptarëve në rrethinën e afërt por edhe shqiptarët në rrethinën e largët në Perëndim, në Lindje, në Veri dhe në Jug të planetit të quajtur “Tokë”.
Mrekullia e tretë pagëzohet dhe emrin e ka “Rruga Durrës-Morinë”. Kjo mrekulli dhe ky mega-projekt shqiptar do të jetë definitivisht, aorta e zhvillimit ekonomik dhe e mirëqenies njerëzore. Sa më pëlqen kjo dialektikë, në të kaluarën njëra pjesë e popullit tim vlerësohej si shteti më i prapambetur në Evropë ndërsa pjesa tjetër (ajo e imja) konsiderohej si pjesa më e pazhvilluar dhe më e prapambetur e një krijese të krijuar kundër vullnetit të saj (“sllavët e jugut”).
Po sot, nesër, pasnesër… Ndryshon gjithcka, ndryshon në mënyrë radikale, ndryshon dhe do të ndryshoj shumë pozitivisht. Një fjalë ë urtë shqiptare thotë “të preksha për të mirë”. Ishte ëndërr para një shekulli, ishte ëndërr para gjysmë shekulli, para 10 vjetëve. Por, jo sot. Sot është realitet. Komunikimi i një tërësie të ndarë padrejtësisht me shekuj do të zhvillohet si në ëndërrat më të mira apo sipas skenarëve të filmave më të mirë, të shpërblyer me çmimin “Oskar”. Mrekulli më të mire, jam shumë i bindur nuk do të mund të ndodhte. Lidhjet ekonomike dhe tregtare, do të përshpejtohen. Biznesi dhe malli gjirokastrit, durrësak dhe shkodran sa qel e mshel sytë do të takohet dhe këmbehet me biznesin dhe mallin prizrenas, gjilanas dhe mitrovicas. Mallrat dhe bizneset e përbashkëta shqiptare do të rrugëtojnë drejtë perëndimit, lindjes, veriut, jugut, përtej oqeaneve në tregje të reja dhe tek konsumatorët e rinjë. Në disa mallra do të shkruaj “Made in Albania”, në disa tjera “Made in Kosova”. Por, kjo do të jetë megjithate kënaqësi e madhe. Great pleasure, do të thonin në anglishte. Rrugët e kalueshme me vështirësi, nevoja për pashaporta, nevoja për zhdoganim të mallrave, siguria në qarkullim do të jenë terme të së kaluarës dhe do i fusim në arkiva. Lëvizja e shpejtë dhe e lirë e njerëzve, lëvizja e shpejtë dhe e lirë e mallrave si dhe lëvizja e shpejtë dhe e lirë e kapitalit do të jetë promotori i zhvillimit ekonomik. Shumë shpejtë GDP-ja e Shqipërisë dhe e Kosovës, shumë shpejtë GDP-ja për kokë banori e shqiptarit evropian ne miqësi të përjetshme amerikane, do të mund të krahasohet me GDP-të e shteteve evropiane.
Proceset dhe kënaqësitë “Made in Kosova” dhe “Made in Albania” me rrugën “Durrës-Morinë”, sipas dialektikës së Hegelit dhe dialektikës time, poashtu, do të pasohen me mrekullira të reja, mrekullira që i kemi pasur dhe i kemi në mendjet dhe skenaret tona. Por, për këtë duhet ndryshojmë shumëçka tek ne, tek sjelljet tona, veprimet tona të ndërsjellta, organizimi e riorganizimi, strategjia. Shqipëria hyri në NATO, nesër në BE, pasnesër Kosova në NATO, në BE dhe dialektika nuk ndalet, është proces natyror i pandalshëm, është vet mrekullia. Por, kësaj dialektike duhet ti nënshtrohemi edhe ne, me vlera të reja, me punë të madhe, me arsim të avansuar. Kështu, procesi nuk frenohet, përndryshe…
Prandaj shqiptar, Gëzuar Mrekullia e Tretë “Rruga Durrës- Morinë”
Autori i shkrimit është ekspert i makroekonomisë
...