Letra/Standardet e larta të zgjedhjeve
Në këtë fushatë elektorale u arritën shumë rezultate dhe standarde impresionuese në shumë drejtime. Zgjedhjet në Shqipëri morën një vlerësim shumë të madh nga organizma të brendshme dhe të jashtme, nga institucione prestigjioze të cilat na monitorojnë me një vëmendje shumë të madhe. Standardi i lartë i zgjedhjeve ishte një fitore mëse e merituar për të gjithë shqiptarët, të cilët po kuptojnë gjithnjë e më shumë se anëtarësimi në një komunitetet prestigjioz siç është BE ndërtohet mbi bazën e perfomancës së qytetarëve në përmbushjen e detyrimeve demokratike. Natyrshëm përmbushja e detyrimeve qytetare siç është votimi i rregullt i garanton qytetarit se integrimi bëhet një rrugëtim gjithnjë dhe më i shkurtër. Pikërisht këtë mesazh na dha qeveria jonë e cila me të gjitha hallkat e saj kontribuoi në çdo aspekt që të sigurohej një mbarëvajtje sa më e arrirë e procesit zgjedhor si të votimit, ashtu edhe të numërimit. Berisha na dha mesazhe shumë të qarta politike, të cilat inkurajonin përshpejtimin e punës së komisionerëvë, u bëri të qartë atyre se mbi të gjitha duhet të shohin interesin kombëtar ku vlerësimi me seriozitet i procesit të numërimit duhet të shndërrohet në moton e punës së çdo komisioneri. Berisha si kryetar i qeverisë në asnjë moment nuk e ka thyer heshtjen elektorale, ashtu siç bëri Rama ditën e votimeve. Pothuajse të gjithë analistët, gazetarët e thjeshtë, mbi të gjitha opinioni publik e dënuan këtë sjellje të pahijshme të Ramës e për të cilën as socialistët e thjeshtë nuk mund të krenohen, përkundrazi turpërohen me këtë papërgjegjshmëri totale. Rama me atë gjest deshi që edhe Berisha t’i kundërpërgjigjej. Shihet shumë qartë dëshira e Ramës për të shpërqendruar votuesin e thjeshtë nga zgjedhjet e tyre të lira ndërmjet ofrimit të një produkti sa më shumë konfliktual, ku palët politike të merreshin me akuza të rëndomta ndaj njëri-tjetrit, kështu që njerëzit nuk do të arrinin të dallonin cili është i miri dhe cili është i keqi. Në mënyrë kategorike, Berisha dhe Basha e refuzuan këtë model anormal të të bërit politik, u përqendruan fort mbi detyrat më të rëndësishme, duke dhënë shembull të lartë angazhimi dhe përkushtimi. Padyshim, policia si një ndër hallkat më të rëndësishme të shtetit, luajti një rol fenomenal, duke siguruar çdo qendër votimi dhe numërimi nga çdo element i jashtëm, i paftuar, i paçertifikuar që të mos influenconte në këtë proces zgjedhor. Në fakt në shumë raste grupe të Partisë Socialiste të frymëzuar nga ndonjë deputet anormal, tentuan që të provokojnë forcat e policisë, të cilat ishin në krye të detyrës së tyre. Inskenimi i incidenteve u bë për një qëllim shumë të mbrapshtë që të prisheshin këto zgjedhje, që të degradohej procesi, të shndërroheshin mbretër të terrenit që pastaj të kërcënonin çdo numërues me anë të sharjeve, kërcënimeve. Qeveria Shqiptare ndërmjet forcave të policisë e parandaloi që në embrion realizimin e kësaj strategjie ogurzezë, prandaj duhet të jemi shumë të kënaqur me forcat e policisë. Përpjekja për të hedhur baltë, për të fyer, ushtruar presion ndaj forcave të policisë është një përpjekje që buron nga vullneti i disa individëve që drejtojnë Partinë Socialiste të cilët u pëlqen zaptimi i institucioneve dhe jo marrja me anë të votës së lirë. Këtu shihet qartë se qasjet politike janë krejtësisht të kundërta. Përveç policisë edhe institucione të tjera kontribuan aq sa patën mundësi duke qenë tepër të ndërgjegjshëm për rolin e madh që ata kanë. Media luajti një rol shumë konstruktiv, e pasqyroi shumë me profesionalizëm si situatën para votimeve dhe ashtu pas votimeve. Vlen për t’u theksuar se disa situata u bymyen, u zmadhuan artificialisht duke e defokusuar paksa opinionin publik nga ngjarjet e rëndësishme dhe me vlerë. Sigurisht e kam fjalën për media të cilat janë të lidhura me Partinë Socialiste, media të cilat ne shumë raste krijojnë atmosferë paniku. Gjithsesi duhet të jemi të lumtur që arritëm t’i përmbushim standardet. Për mendimin tim, një vend i vogël dha një shembull të madh demokracie.
...