Kur parandalimi është më mirë se kurimi
Kur tërmeti dhe cunami goditën Japoninë në mars, Brian Tucker ishte në Padang, Indonezi. Tucker po punonte me kolegët e tij në dizajnimin e një strehimi që do të mund të shpëtonte me mijëra jetë në rast se – apo nëse, kur – një cunami sikurse ai i viti 1797 në Oqeanin Indian, me qindra kilometra në juglindje të vendit ku më 2004 ndodhi cunami i Azisë, përsëritet. Tucker është themelues dhe kryetar i “GeoHazards International”, një organizatë joqeveritare, mision i të cilës është të reduktojë numrin e të vdekurve dhe vuajtjet nga tërmetet në komunitetet më të rrezikuara të botës.
Padang është një prej këtyre komuniteteve. Mu në veriperëndim të tij, në Banda Aceh, mbi 160 mijë jetë ishin humbur në cunamin e 2004-s. Tash, gjeologët thonë, dallga që nxiti cunami ka shumë gjasa të ngrihet përsëri në jugun e largët, duke i vënë disa qytete bregdetare me nivel të ulët mbidetar sikurse Padang, me popullatë prej 900 mijë banorësh, në rrezik tejet të madh nga një tërmet i madh dhe cunami brenda 30 vjetëve të ardhshëm.
Në Banda Aceh, cunami kishte lënë të vdekur më se gjysmën e popullatës së qytetit. Në Padang, sipas përllogaritjeve të drejtorit të zyrës lokale të menaxhimit të katastrofave, një cunami i ngjashëm mund të vriste më shumë se 400 mijë persona. Tucker thotë të ketë qëndruar në një plazh në Padang, duke e shikuar oqeanin dhe duke u përpjekur që të imagjinonte se si do të ishte sikur të shihte një mur uji pesë metra të lartë të arrinte në horizont, duke e rrezikuar qytetin. Tash që ai i ka parë pamjet e Japonisë së goditur nga cunami, fotografia në imagjinatë është më pak e turbullt – përveç se duhet të imagjinojmë muret e shkulur nga deti, të cilat Japonia i kishte ndërtuar për të pakësuar ndikimin nga cunami.
Është e vërtetë, këto mure nuk e kanë kryer ndonjë punë të madhe siç shpresohej, mirëpo Japonia ishte pa dyshim shumë më mirë e përgatitur për një cunami se sa është Padangu. Në Padang, me gjithë pajisjet e avancuara të paralajmërimit për cunami, viset e larta janë tejet të largëta dhe rrugët janë të ngulfatura nga trafiku, duke e bërë të vështirë për shumë njerëz qasjen në zona të sigurta në kohën e duhur. “GeoHazards International” për më tepër është duke punuar në një ide të veçantë, të cilën e quan “Park i Evakuimit nga Cunami” (TEREP). Ideja është që të ndërtohen male të vogla në pjesët e ulëta të qytetit, majat më të larta të të cilave do të mund të përdoreshin si parqe apo fusha futbolli. Vetëm pak minuta pas paralajmërimit që një tërmet i fuqishëm do të dërgonte automatikisht, njerëzit do të mund të ngjiteshin në TEREP dhe të jenë të sigurt në pikën më të lartë, në të cilën një dallgë e cunamit nuk do të mund të arrinte. Parqe të tilla të ndërtuara në tokë janë zgjidhja më pak e kushtueshme për rajonet bregdetare të rrezikuara më së shumti nga cunamet. Ato përdorin vetëm materiale lokale, ofrojnë resurse të vlefshme për komunitetin në kohëra normale dhe kanë potencial për të shpëtuar me qindra e mijëra jetë, kur një cunami godet.
Megjithatë, “GeoHazards Internationalit” i mungojnë resurset për të ndërtuar mjaft TEREP-e për të përmbushur nevojat. Pas 20 vjetësh operim, organizata vazhdon të jetë e vogël, veçanërisht në rast se krahasohet me organizatat si “Kryqi i Kuq”, punë ekskluzive e të cilës është ofrimi i ndihmave pas katastrofave. Njerëzit janë të gatshëm të japin me qindra miliona dollarë për të ndihmuar njerëzit pas katastrofave – edhe kur bëhet fjalë për një katastrofë në një shtet të pasur sikurse Japonia – por nuk janë të gatshëm që të investojnë as përgjysmë më pak për të shpëtuar jetë përpara se një katastrofë e parashikueshme të ndodhte. Një prej arsyeve për këtë është se parandalimi i një katastrofë nuk bën bujë në televizione. Njerëzit u japin viktimave. Në rast se ne ndërtojmë parqe tokësore, ne kurrë nuk do të shohim njerëz, të cilët, falë ndihmave tona, do të vdisnin; nuk do të kishte bonjakë në nevoja dëshpëruese që shfaqen në edicionet e lajmeve. Por a nuk është larg më mirë t’i mbajmë prindërit e tyre në të sigurt se sa t’u ndihmojmë bonjakëve, pasi prindërit e tyre të jenë vrarë? Kjo është një situatë, në të cilën ne duhet të kapërcejmë imagjinatën tonë, të kuptojmë dhe të motivohemi nga e mira që po e bëjmë. Fatkeqësisht, jo gjithkush mund ta bëjë këtë.
Një tjetër arsye pse ne nuk japim para për të parandaluar katastrofa duhet të jetë i ditur për çdokënd që ndonjëherë ka shtyrë shkuarjen te dentisti për se dhembja serioze e mëvonshme thjesht nuk ka qenë aq motivuese javë apo muaj më vonë se sa rëndësia e përballjes me një siklet dukshëm më të lehtë menjëherë. Ne i themi vetes se ndoshta as që do të kemi dhembje dhëmbi mbi të gjitha, edhe pse e dimë se kjo është një mundësi të cilën ne e dëshirojmë.
Shumica prej nesh nuk jemi aq të mirë që t’u bëjmë një vlerësim adekuat ngjarjeve të ardhshme, veçanërisht nëse ato janë të paqarta. Prandaj dhe i themi vetvetes se gjeologët mund ta kenë gabim dhe mbase një cunami nuk do ta godasë Padangun brenda 30 vjetëve të ardhshëm, dhe se deri atëherë mbase ne do të kemi teknologji të reja dhe më të mira për parashikimin e tyre, duke u dhënë njerëzve më shumë kohë për të arritur në pika më të larta. Në vend të kësaj, ne duhet të udhëhiqemi nga përllogaritjet më të mira të mundshme të shanseve për shpëtimin e njerëzve nga një intervenim, si dhe nga numri i njerëzve që mund të shpëtohen, dhe kostoja e shpëtimit të këtyre jetëve. Dëshmitë sugjerojnë se ndërtimi i parqeve të larta tokësore në vendet si Padang është një vlerësim vërtetë shumë i mirë.
Autori është profesor i bioetikës në Universitetin Princeton. Shkrimi është shkruar për rrjetin e gazetarisë hulumtuese “Project Syndicate”