E Diel, 1 Nëntor 2026

Lëvizja e lirë, mundësia reale për aspiratat evropiane të të rinjve shqiptarë

Kur gjendemi në prag të vizitës së grupit të ekspertëve të KE-së për liberalizimin e vizave, performanca e të rinjve shqiptarë paraqitet si kurrë më parë me një nivel të shkëlqyer si në formë dhe në përmbajtje.

Ky pohim vjen si një deduksion i bazuar në fakte dhe të dhëna reale, të vërtetueshme lehtësisht në terren dhe aspak si një mediokritet për tu ardhur për shtat politikave qeverisëse në këtë fushë.

Në këtë gjashtëmujor të parë të 2010-s të rinjtë shqiptarë të organizuar në OJQ , nisma private dhe të bashkërenduar me politika objektive të MTKRS-së dhe organizmave ndërkombëtarë të fushës, kanë mundur të realizojnë programe ambicioze me impakt të drejtpërdrejtë në konsolidimin e edukimit dhe profesionalizmit të rinisë shqiptare.

Janë me dhjetëra projektet rinore në Tiranë dhe në rrethet e ndryshme të Shqipërisë, që gjatë këtyre muajve kanë sjellë një mendësi te re në informimin e të rinjve për sfidat e integrimit evropiane, lehtësitë dhe avantazhet që do të ketë veçanërisht rinia shqiptare nga liberalizimi i vizave.

Gjatë kësaj kohe organizata rinore në një bashkëpunim dhe koordinim real me ekspertët e politikave rinore të qeverisë kanë realizuar trajnime dhe konferenca për njohjen nga afër të Evropës dhe modeleve të saj të suksesshme në fushën e rinisë.

Ndërkohë, vetë organizatat rimore shqiptare të lidhura në networke me simotrat e tyre në rajon dhe vendet e BE-së, kanë realizuar aktivitete dhe nisma për të ndërgjegjësuar të rinjtë në kërkesat e reja që shtron koha e internetit dhe informacionit dixhital.

Kjo është një pikë, ku Shqipëria ka çfarë të dëshmojë, pasi të gjithë jemi dëshmitarë për një qasje perfekte të adoleshentëve dhe të studentëve me kompjuterat, duke përfshirë dhe aparaturat që janë fjala e fundit e elektronikës. Sot të rinjtë edhe në skajin më të largët verior apo jugor, janë të përditësuar me internetin dhe researche në Google.

Krijimi në Shqipëri i rrjeteve rinore rajonale dhe evropiane me programe të përbashkëta integrimi ka ngritur ura shumë të forta të vlerave të mëdha të humanizmit evropian si vullnetarizmi, lidershipi rinor, pjesëmarrja dhe vendimmarrja, respektimi i të drejtave të minoriteteve dhe grupeve të margjinalizuara, mbrojtja e mjedisit dhe standarde të tjera.

Për herë të parë në këto vite u mbajt këtë verë në Shqipëri, konferenca e parë e lidershipit rinor për integrim, ku morën pjesë mbi 30 org rinore dhe rrjeteve universitare të cilët hartuan një rezolutë në mbështetje të liberalizimit të vizave drejtuar institucioneve dhe Parlamentit Evropian.

Sigurisht që rezoluta e PE dhe veçanërisht qëndrimet koherente të deputetëve të BE-së, në përkrahje të heqjes së vizave me Shqipërinë janë dhe një përgjigje e merituar ndaj standardeve që kanë arritur të rinjtë shqiptare me mendësi dhe sjellje evropiane.

Aspirata evropiane e të rinjve shqiptare për një lëvizje të lirë, pa mure Shengen ishte dëshmuar më së miri dhe në anketimin që u është bërë grupmoshave të reja në vendet e Ballkanit Perëndimor, nga strukturat e politikave rinore të KE-së, disa muaj më parë. Në këtë anketim rezultoi se të rinjtë shqiptarë në masën 98% duan anëtarësimin e vendit të tyre në Evropë.

Ky vit po shënon dhe një numër të konsiderueshëm të të punësuarve në administratën publike, universitetet publike dhe private, por veçanërisht në biznes, të të rinjve.

Janë me dhjetëra studentë që kanë mbaruar universitetet në vendet e BE-së, të cilët sot janë hartues të politikave integruese, të zbatimit të tyre me sukses në terren, të zbatimit të teknologjive më të larta dixhitale në shumë procese vendimmarrëse të institucione shqiptare dhe shumë reforma të tjera në mbështetje të liberalizimit të vizave me BE.

Zhvillimi sot i të rinjve shqiptarë është një tregues real i një rinie më temp evropian që ka synime dhe projekte të mëdha në shërbim të interesave kombëtare, por mbi të gjitha të një aspirate për integrim dinjitoz, që pikësëpari mund të vijë nga një komunikim i lirë fizik mes vendeve që aspirojnë anëtarësimin dhe vendeve anëtare të BE-së.

Nga sa përmenda më sipër dhe nisur nga të dhënat optimiste që gjejmë në terren, mund të konfirmohet me bindje se një nga pluset e mëdha që ekspertët e KE-së do ti vënë Shqipërisë në testin e standardeve të liberalizimit të vizave, është zhvillimi evropian i të rinjve shqiptarë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›