E Diel, 1 Nëntor 2026

PS, strategji për të dëmtuar biznesin dhe bankat

PS të heqë dorë nga qëndrimet dhe sulmet e papërgjegjshme

Lëvizja Socialiste për Integrim ka akuzuar dje Partinë Socialiste se po dëmton sigurinë e biznesit dhe të bankave me deklaratat e përsëritura për krizë ekonomike. Sekretari për marrëdhëniet me publikun në LSI, Ardit Çela, në një deklaratë për mediat u shpreh se PS-ja duhet të heqë dorë nga sulmet e papërgjegjshme dhe të bëhet një forcë konstruktive për integrimin e vendit dhe reformat evropianizuese. Ftojmë Partinë Socialiste të ndryshojë sjellje, të heqë dorë nga qëndrimet dhe sulmet e papërgjegjshme, të paraqesë alternativa konstruktive për qeverisjen, pasi vetëm në këtë mënyrë mund të kontribuojë pozitivisht për ekonominë e shqiptarëve, - u shpreh Çela. Ai u ndal në deklaratat e fundit të PS-së që theksojnë rëndimin e bilancit ekonomik, duke i cilësuar ato si përpjekje për të përhapur panik, duke sulmuar investitorët e huaj. Çela tha se deklaratat e PS-së nuk synojnë thjesht të dëmtojnë qeverinë, por sigurinë dhe mirëqenien e të gjithë shqiptarëve. Në vend që Partia Socialiste, si shumë opozita të përgjegjshme në vende të tjera, në këto momente tejet të ndjeshme për shkak të krizës botërore, të bashkëpunojë në mënyrë konstruktive për të përmirësuar më tej situatën ekonomike të Shqipërisë dhe shqiptarëve, përkundrazi, ndjek një politikë destruktive, bllokuese dhe tejet të rrezikshme për stabilitetin ekonomik, - u shpreh Çela.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›