Lëvizja për Bashkim: Kosova s`ka nevojë për parulla

Lëvizja për Bashkim ka reaguar sot ndaj deklaratave të subjekteve politike të Kosovës, në prag të dialogut Prishtinë-Beograd.
"Shqetësuese në këtë situatë është se këto subjekte, në vend se të merren me trajtimin serioz e përmbajtjesor të çështjes, ato, të nxitura nga motive elektorale, shërbehen me fraza e parulla krejtësisht jashtë realitetit. Synimet për një `traktat paqeje me Serbinë`, `për normalizim marrëdhëniesh`, për `njohje të ndërsjellë`, apo kërkesa `për kërkim-falje nga ana e Serbisë`, janë synime e kërkesa që do të vinin në shprehje vetëm pasi të zgjidhen problemet që ekzistojnë me Serbinë", thuhet në komunikatën e kësaj partie.
Sipas saj, midis Kosovës e Serbisë ka ende çështje mjaft të rënda të pazgjidhura, siç është Kosova Lindore, qyteti i ndarë i Mitrovicës, Leposaviqi, Zveçani e Zubin Potoku, e të cilat kërkojnë "një debat të mirëfilltë e harmonizim pikëpamjesh në mes të subjekteve politike shqiptare, e jo grindje, përplasje e akuza të ndërsjella".
Ditë më parë, zyrtarë të Qeverisë së Kosovës janë shprehur të gatshëm për një traktat të paqes me Serbinë, me të cilin do t`iu jepej fundi marrëdhënieve të konfliktit.