E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lëvizja sllovake

Ministri i Punëve të Jashtme i Sllovakisë, Miroslav Lajcak, ka deklaruar se Bashkimi Europian duhet të jetë i përgatitur për mendimin që do ta japë Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë lidhur me ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës.

Sipas tij, vendimi i Gjykatës së Botës për shtetin e ri është rast i mirë që Bashkimi Europian të veprojë për ta stabilizuar rajonin.

“Bashkimi Europian është lojtar i rëndësishëm global, mirëpo kredibilitetin e vet potencial duhet ta dëshmojë, para se gjithash, në oborrin tonë të brendshëm dhe ky është pikërisht Ballkani Perëndimor. Marrë parasysh se në periudhën vijuese presim mendimin e GJND’së lidhur me pavarësinë e Kosovës, është e qartë se BE duhet të jetë e përgatitur për këtë vendim dhe jo të ndodhë që ai të na gjejë të papërgatitur”, ka thënë Lajcak për gazetën “Dnevnik”.

Sipas kësaj gazete, Lajcak ka një plan të hartuar se si të zgjidhet problemi i marrëdhënieve në mes të Serbisë dhe Kosovës pas publikimit të mendimit këshillëdhënës të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, të cilin pritet ta prezantojë në mbledhjen e Këshillit të Ministrave të BE’së më 10 maj, në Bruksel.
“Mund të them se kemi nevojë për një dinamikë rajonale dhe komunikimin për çështjet praktike, që do të mundësonin që i gjithë Ballkani Perëndimor të përparojë”, ka thënë Lajcak, duke mos dashur të zbulojë detaje nga plani i tij.

Siç bëhet e ditur më tej, plani i Lajcakut synon që marrëdhëniet në mes të Kosovës dhe Serbisë të vihen në një kornizë me të zgjeruar të zgjidhjes së kontesteve në Ballkanin Perëndimor, e që do të mundësonte që në të njëjtën tavolinë të uleshin të gjithë së bashku, edhe shtetet e rajonit edhe Bashkimi Europian.

“Është gjë e parealizueshme që problemet dhe bllokimet e ndërsjella në rajon të ekzistojnë, ndërsa shtetet të përparojnë drejt Bashkimin Europin. Kjo është në kundërshtim me logjikën dhe frymën e Bashkimit Europian dhe Unioni nuk është i gatshëm të pranojë anëtarë të rinj me këtë logjikë”, ka thënë Lajcak, duke shtuar se mu ambiciet europiane të Beogradit dhe të Prishtinës janë rrugë drejt zgjidhjes.
Duke folur për samitin e paralajmëruar të Sarajevës mes BE’së dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor, Lajcak ka thënë se ky samit do të jetë i pasuksesshëm nëse mungon cilido prej akterëve.

“Vetëm nëse jemi të gjithë rreth një tavoline në Sarajevë, do ta kishim legjitimitetin e domosdoshëm për të treguar se BE-ja kujdeset për Ballkanin Perëndimor”, ka thënë Lajcak.

Sllovakia nuk e ka njohur ende pavarësinë e Kosovës. Për më tepër, Bratislava është rreshtuar fuqishëm krah Serbisë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›