E Diel, 1 Nëntor 2026

Lëvizjet e Madridit

Pavarësisht se Spanja nuk e ka njohur ende pavarësinë e Kosovës, ky shtet nuk do ta pengojë Kosovën që të marrë pjesë në takimet e Bashkimit Europian që kanë të bëjnë me Ballkanin.

Spanja do ta lejojë Kosovën që të marrë pjesë në takimet e Bashkimit Europian që kanë të bëjnë me relacionet BE-Ballkan, gjatë Presidencës së saj në gjysmën e parë të vitit 2010. Pavarësisht se Madridi ende nuk e njeh ish-provincën serbe si shtet të pavarur, tha Ministri i Jashtëm spanjoll, Miguel Angel Moratinos, të hënën.

Spanja do të mbajë kontakte me autoritetet e Kosovës brenda një kuadri shumëpalësh, shtoi Moratinos.

Ky duket të jetë një hap i konsiderueshëm i shtetit spanjoll, pasi që deri më tash, Madridi ka mbajtur qëndrim të fortë kundër pavarësisë së Kosovës.

Ministri i Jashtëm i Spanjës ka thënë se vendi i tij do ta njohë pavarësinë e Kosovës, vetëm nëse këtë e bëjnë Kombet e Bashkuara apo nëse Serbia arrin një marrëveshje me autoritetet e Prishtinës.

Spanja është një prej pesë shteteve anëtare të Bashkimit Europian që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës. Madridi frikohet se njohja e pavarësisë së Kosovës do të shërbente si bazë edhe për separatistët baskë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›