E Diel, 1 Nëntor 2026

Marijuana, biznesi me studentët i një ish-emigranti

Dashamir Biçaku

TIRANE- Kriza greke e kthen në atdhe emigrantin nga Tirana, Dritan Dervishi, por me një ide për të fituar sa më shpejt ato që kishte humbur. Vendosi të merret me trafikun dhe shitjen e drogës.  Organizoi dy studentë, një prej të cilëve nipi i tij, në shitjen dhe shpërndarjen e drogës në zonat studentore. Policia iu bllokon 17 kilogramë drogë marijuanë, e magazinuar në një banesë në rrugën Teodor Keko, në Tiranë, e njohur edhe si Unaza e Re. Policia arreston me akuzën e shitjes dhe transportimit të lëndëve narkotike në bashkëpunim, ish- emigrantin Dritan Dervishi 28 vjeç, i cili nuk mundi ti rezistonte, situatës së papunësisë në Greqi, pak muaj pas kthimit në vendin tonë.  Bashkë me Dervishin, policia arrestoi nipin tij, Drinald Dervishin, 19 vjeç, student i vitit të parë, në fakultetin e Inxhinierisë së Mjedisit në Universitetin e Kamzës,  si dhe mikun e këtij të fundit, Admir Hoxhën 21 vjeç, student i vitit të dytë në fakultetin Juridik, në një prej Universiteve private në kryeqytet.

Të tre personat sipas burimeve të policisë janë banorë të Tepelenës, por me qëndrim të përkohshëm në kryeqytet, ku edhe dyshohet se prej disa muajsh ushtrojnë aktivitetin e shitjes dhe e shpërndarjes së lëndëve narkotike, kryesisht marijuanë, në sasi jo më të vogla se 10 kilogramë në baza më të vogla shpërndarjeje. Dritan Dervishi, 28 vjeç, djali i vëllait të tij, Drinald Dervishi, si dhe miku i tyre, u ndaluan nga njësia e Antidrogës në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, pasi në një banesë të marrë me qera nga Drinald Dervishi, policia gjeti dhe sekuestroi një sasi prej 17 kilogramë marjuanë e ambalazhuar në disa pako dhe e mbështjellë me natriban. Lënda narkorikte, ishte e magazinuar në banesën ku studenti Inxhinierisë së Mjedisit, Dervishi, jetonte me qira bashkë me tre shokë të tjerë të tij, po ashtu studentë. Policia mësohet se ndërhyri rreth orës 20:00, të mbrëmjes së të hënës duke shoqëruar në ambientet e saj, tre të arrestuarit, e bashkë me ta edhe tre studentët e tjerë që jetonin me qira në të njëjtën banesë me Drinald Dervishin.

Fillimisht hetuesit, përjashtuan nga përgjegjësia tre studentët e shoqëruar pasi nga verifikimi i kryer është konfirmuar se ata nuk kanë pasur përgjegjësi në historinë e shitjes dhe të shpërndarjes së sasive të ndryshme të marijuanës në baza të tjera të shitjes së saj, në zonën e Laprakës dhe në zonën e Kodër Kamzës, në Universitetin Bujqësor, ku destinacion kryesor ishin të rinjtë studentë që frekuentonin këtë kampus universitar. Gjatë kontrollit të kryer në banesën e Drinald Dervishit, policia gjeti dhe bllokoi 15 pako të mbështjella me natriban në formën e paralelopipedit. Pakot sipas burimeve të policisë, secila më tepër se 1 kilogramë, ishin vendosur në një prej dhomave të banesës së kontrolluar nga oficerët e Antidrogës.

Burimet e Policisë thanë për Shekullin, se të arrestuarit dyshohet se e blinin lëndën narkotike në Lazarat në sasi të cilat nuk i kalonin 20- 30 kilet dhe më pas në mënyrë të shpejtë arrinin ti shisnin tek bazat e tjera më të vogla në kryeqytet, të cilat kishin arritur ti gjenin dhe ti furnizonin nëpërmjet lidhjeve të tyre. Një aktivitet i tillë sipas burimeve të policisë mësohet se personat kishin më tepër se disa muaj që e kryenin këtë aktivitet. Hetuesit dyshojnë se Dritan Dervishi, blinte mallin në Gjirokastër dhe më pas e transportonte në Tiranë duke e magazinuar në shtëpinë e nipit të tij Drinald Dervishi.

Në momentin që ndonjë nga blerësit e tij shfaqet interes, nëpërmjet nipit të tij Drinaldit apo studentit tjetër, Admir Hoxhës, dërgonte sasinë e mallit të kërkuar në destinacion. Një kilogramë sipas hetuesve shkonte nga 300- 500 mijë lekë kilogrami. Ky çmim sipas hetuesve në raste të ndryshme, ndryshonte në varësi të klientit që porosiste mallin dhe sasinë. Policia tha se ka dyshime për persona të tjerë të përfshirë, identitetet e të cilëve ende nuk janë bërë të ditur nga kjo e fundit.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›