Leximi i projektit/Basha, një bibliotekë për Tiranën
Premtimi i Lulzim Bashës për ndërtimin e një Biblioteke të madhe Universitare në Tiranë është një sinjal inkurajues e i mirëpritur për mijëra qytetarë, studentë dhe studiues të kryeqytetit. Një bibliotekë që do të mbajë peshën e virtytit qytetar sepse biblioteka konservon jo vetëm kujtesën, por edhe zhduk përgjithmonë të parëndësishmen. Ne gabohemi, nganjëherë, kur hedhim poshtë diçka, por nëse nuk do të hidhnim gjëra në kosh do të ishim si personazhi i Jorge Luis Borges, Funes el memorioso (kujtesëshumit) që mbante mend gjithçka, çdo zhurmë që kishte dëgjuar, çdo fjalë që i ishte thënë e kështu më radhë, dhe ky njeri me një memorie totale ishte një idiot perfekt, i paaftë për të arsyetuar dhe i paaftë për të filtruar.
Biblioteka është miniera e librave ku gjendet pasuria e çmueshme e dijes njerëzore. Vetëm mendim për të shtuar me një bibliotekë tjetër kryeqytetin është një gjest qytetar që duhet përshëndetur, inkurajuar dhe votuar. Në Europë ekziston një parametër kulturor për të patur një bibliotekë çdo 10-15 mijë banorë. Mendoni vetëm për një moment sesa deficitar jemi në këtë aspekt, kur kemi pothuajse 800 mijë banorë dhe kaq pak biblioteka. Prandaj oferta për ndërtimin e një tjetër biblioteke në Tiranë është pro-europiane e ndihmon afrimin e qytetarin me librin, me dijen. Të çmosh dijen do të thotë jesh një hap përpara. Shumë veta ende vijojnë të thonë se shoqërinë e ka marrë lumi, pasi më shumë të rinj preferojnë të shkojnë në pub-e sesa në biblioteka. Mirëpo nëse s’ka biblioteka të standardeve europiane është e vështirë ta tërheqësh lexuesin e ri. Kandidati i PD-së Lulzim Basha në shpalosjen e programit të tij për politikat e arsimit ka premtuar që Bashkia do të ndihmojë të rinjtë e sapo diplomuar duke financuar një program stazhi që do t’i afrojë ata me sektorin privat dhe do t’i pajisë me përvojë pune në profesionin e tyre. 70% e atyre që kryejnë stazhe të tilla u ofrohet punësim i përhershëm në sektorin privat.
Do të eliminohet mësimi me dy turne dhe të kemi klasa me më pak se 30 nxënës, shkolla të hapura e të mirë-pajisura, ku zhvillohet mësim, por edhe jetë sociale për nxënësit dhe komunitetin; internet falas për të rinj, nxënës e studentë, jo vetëm në shkolla, por në të gjithë territorin e qytetit. Bashkia do të krijojë mundësitë që Tirana të presë dhe të mbajë në gjirin e saj, me të gjitha kushtet dhe infrastrukturat, më shumë se 100 mijë studentë. Një Bibliotekë Universitare e Tiranës do të ndërtohet në kryeqytet.
Për më shumë gjatë ditës së djeshme Lulzim Basha bisedoi bashkëbisedoi me studentët e dy universiteteve në kryeqytet, Universitetit të Tiranës dhe atij UFO, për të paraqitur para tyre se çfarë mund të bëjë Bashkia për ta, si dhe për të dëgjuar sugjerimet e tyre për jetën akademike dhe infrastrukturën universitare dhe perspektivën e punësimit. Basha iu përgjigj pyetjeve të studentëve për perspektivën e tyre në punësim, infrastrukturën akademikë si dhe lehtësirat për ta. Lulzim Basha shpjegoi se si do të jetë marrëdhënia Bashki-student, në Tiranën e 100 mijë studentëve. Kandidati për kryebashkiak tha se pjesë e rëndësishme e projektit të tij është themelimi i kartës së studentit. Do të jetë një dokument që do t’i pajisë studentët me privilegje të ndryshme, siç funksionon në kryeqytetet e Europës.
Tirana e modelit “Rama” është një konvikt gjigant ku vetëm gjallojnë qytetarët pasi oferta kulturore mungon, sic mungojnë bibliotekat e dijes. Oferta “Basha” për një model të ri ekonomik, kulturor dhe civil të kryeqytetit qëndron më shumë se kurrë sot. Natyrisht zgjedhja është në favor të atyre qytetarëve që dëshirojnë për fëmijët e tyre një të ardhme më të mirë se të tashmen.