Kur përnjollosësi i vendit do të bëhet kryeqytetar
Mbase jo të gjithëve u ka shkuar ndër mend një hipotezë e tillë: Sikur E.Rama të ishte kryetari i PS-së në vitin 2005, në përfundim të zgjedhjeve të këtij viti, jo vetëm që nuk do të thoshte „E kishim me hak humbjen e zgjedhjeve“, por do të tërbohej po aq dhe do të mbante të njëjtin qëndrim, sikundër pas zgjedhjeve të 28 qershorit të vitit 2009. Madje, me një vetëkorrigjim të shkurtër: Jo fill pas këtyre zgjedhjeve, (kur e kujtoi veten fitues), por më vonë kur KQZ-ja, njëzëri, e shpalli humbës E. Ramën, ky thua se fitoi ato tiparet e hershme kur familja dhe një njeri i afërt i saj, dërguan njerëz për t’iu lutur komandantit të zborit në Burrel, që të mos i linte në dorë armën, se mund të bënte ndonjë hata!
Gjendja është virtuale, kuptohet, përderisa u paraqit me “sikur”. Por ai tetëvjeçar, si pjellë monstruoze e ’97-s, i pikturuar siç e meritonte, nga ish-opozita demokratike, ishte një realitet tragjik, nga të gjitha pikëpamjet. Edi Rama e paraqiti sterrë atë tetëvjeçar përpara këpëdarëve injorantë apo “kongresmenëve” të ngrefosur dhe do të dëshirohej të ribotohej “mot à mot”, që të dalin më mirë në shesh ato çekuilibrimet si në “Refleksionet”. Këto, - si dhe ajo fjalë në të cilat parashtronte të gjitha shëmtitë e një regjimi të zvetënuar, tanimë janë varrosur nga vetë autori i tyre. Veçse ato kanë lënë litarin jashtë, për fat të keq të autorit çakërdisur.
Nga ajo hamendësí dhe nga sa thamë më tej, mund të dalin, së paku, dy përfundime: Së pari: Zgjedhjet quhen të manipuluara ose jo, sipas interesave individuale të vetë Edit. Mund të dalë një pjesë e elitare dhe e gjerë e PS-së, siç ishte Lëvizja për Mendimin Ndryshe e t’i thotë: Jo! I humbe zgjedhjet. Fajin e kishe ti! Se i personalizove ato, se dole pa program. Se u solle si autokrat ndaj atyre që s’ishin dakord me ty. Se... Se... Humbësi iu kundërvu kontestuesve të LMN-së brenda radhëve. I kërcënoi anëtarët e saj me mendimin ndryshe se do t’i përjashtonte nga partia. U tregua brutal dhe jo tolerant ndaj tyre. I mbylli në mbledhje të bunkerizuara, duke mos pranuar as kamera (disa u thyen nga mujshia e tij). Iu hoqi nga goja mikrofonat, duke i trajtuar si atë gazetaren e Shijak TV-së. Bëri me vete edhe disa kuaj të Trojës. Dhe të gjitha këto reprezalje i quajti kulmin e demokracisë e të transparencës. Këtë fjalën e fundit e bëri lajtmotiv. I quajti tradhtarë të 20.000 komisionerët e mandatuar me firmë të vetën! Deshi të zhbënte Kodin Zgjedhor, që u bë një akt ligjor, si i ideuar dhe i firmosur nga ai vetë. Nuk i pranoi mendimet e monitoruesve ndërkombëtarë dhe ngarkoi Gramozin të shprehej për personalitetet e larta europiane dhe amerikane se “po na ngatërroheshin nëpër këmbë”. Ndërkaq kërkon aleatë ndërkombëtarë antishqiptarë...Atij i duhet vetvetja: S’ka nevojë as për NATO, as për liberalizim vizash, as për marrjen e statusit të shtetit kandidat për në Bashkimin Europian. Egocentrik i pashoq!
Së dyti: Siç e pamë, ai është i akuzuar edhe brenda radhëve se s’e ka për gjë që të dalë në fushatë pa asnjë program. Të njëjtën gjë po bën edhe tani, në fushatën zgjedhore lokale.. Atëherë ç’ka ai si etalon (se s’mund të themi “model” qeverisës): Njerëzit e thjeshtë mund t’i thonë se e kanë parë qeverisjen e majtistëve të tij (me përjashtim të LSI-së, që është europianiste), veçanërisht gjatë viteve të atij tetëvjeçarit (1997- 2005). Korrupsionin galopant të asaj kohe ti vetë e batërdise. Tani, që ti ia more skeptrin paraardhësit, me këto mallkime, gjersa të dukeshe gazmor për humbjen zgjedhore, a e kishe me gjithë mend? Cilit prej atyre të korruptuarve të tetëvjeçarit u ka hyrë gjembi në këmbë? Përkundrazi, ne po i shohim pranë teje disa prej atyre që ti i ke aleatë politikë (dhe ekonomikë) nga më të afërtit, tani!
Këtë opinion të njerëzve kundërvënës është e natyrshme që ta kemi edhe né që shkruajmë. Po vërejmë se ai po mundohet që të justifikojë, tani, edhe dështimet që maten me shifra: Ekologjia në gjunjë: ajri i tejndotur; plehrat nëpër këmbë; gjelbërimi, duke dhënë shpirt (pavarësisht se taksat kërkohen dyfish apo trefish!); betonizimi ka ngushtuar rrugët dhe makinat ecin zvarrë-zvarrë. Rrugët ende s’kanë gjetur karar: Në kryeqytet kanë dalë në fotot e të përditshmeve rrugë të kryeqytetit sikur të jemi në kohë bombardimesh. Një shi nxjerr hilet e një pune të sipërfaqshme, pa kanalizime! Për reklamë zgjedhore i jepet një shtresë sere ndonjë rruge të “ Komunës së Parisit” dhe ngushtohen trotuaret që të zgjerohet paksà rruga...Edhe Sahati i vetëm, në qendër të kryeqytetit, mezi u bë mbarë që të tregonte orën, si peshqesh zgjedhjesh! Qarkullimi rrugor është bërë dramatik. Që të mos thuhet se po ekzagjerojmë, shtojmë se njerëzve të një gruaje që po çonin në spital me një autoambulancë një grua që kishte pësuar një atak kardiak, i thanë mjekët atje se do të kishte shpëtuar nëse do të vinte gjysmë ore më parë!
Mjaft drejtues makinash ishin zënë njëri me tjetrin se kush ishte fajtori i thyerjes së fenerëve të të dy palëve. Për pak sa s’u therën! Ecja e automjeteve bërryl më bërryl, me 3-4 km në orë është bërë e zakonshme...
Mund të thuhet shumë më tepër se kaq. Megjithatë panorama që na jepet prej Ramës dhe prej lakenjve të tij, është rozë! Duhet të jesh narciz që të kënaqesh me vetveten, në këto kushte. Tani kërkohet të na përsëritet një tetëvjeçar si ai që mallkoi vetë Edi Rama? Sepse Lulzim Basha flet për interesat e qytetarit, për mungesat qytetare që duhen plotësuar, për lulishtet që do të zënë vendin që u mungon, për shkollat e munguara, për taksat që do të mbeten vetëm ato që duhen dhe të reduktuara në shifra ( kryebashkiaku i ardhshëm shprehet konkretisht në çfarë shifrash), jo për rrogat e bashkiakëve që paguhen pa punuar (apo, më saktësisht, - do të thoshim ne - se paguhen për punën “suplementare” të pjesëmarrësve nëpër gjurullditë që i ka për zemër Edi Rama! Madje edhe këto me lekët e taksapaguesve dhe me borderotë e F. Xibrit, në shesh të mejdanit).
Ndërsa kandidati Basha mban shënim se çfarë do të bëjë nga ato që kryetari me korrespondencë i gjertanishëm “nuk ka pasur kohë” t’i bëjë, ky i dyti kujton se jemi në zgjedhjet politike dhe na thotë se “Fajin e ka Berisha”, sikur të jetë prokuror apo gjyqtar dhe jep verdikte nga mendja e tij haluçinante!
Bëri “buf!”- që t’i prishte fare këto zgjedhje vendore. Kujton se jemi shtet pa ligje. Pavarësisht se 8 maji ishte caktuar me kohë. As deshi t’ia dinte se po e shpërdoronte kohën me retorikën boshe të sharjeve pa hesap. Nuk ndjehet i qetë pa sajuar fajësira të paqena, që t’i japë dum instinktit të tij akuzator, qysh në kohën e atij gjyqit të tij familjar, të cilin nuk duam ta rikujtojmë. E vuri në bezdi edhe KQZ-në, duke e harxhuar më kot afatin e fundit të KQZ-së, për të pranuar listat e të ngarkuarve me mandat si kandidatë për zgjedhjet vendore. U karramua me shumë nga kryetarët e degëve vendore të PS-së, se e ka në gjak sherrin dhe prirjen për të akaparuar çdo gjë, édhe njerëzit, duke përfshirë edhe ata të partisë së tij. Kryetarit të KQZ-së, respektues i rregullave dhe i Kodit Zgjedhor, iu desh t’i thotë derrit dajë për një shkelje të detyruar që iu desh të bënte. Megjithatë, në vend ta ndjejë veten të vrarë në ndërgjegje se e ka detyruar tjetrin që është respektues i ligjit, të bëjë një gjë që s’do të dëshironte ta bënte, kërkon shkarkimin e tij nga detyra! I jep rëndësi vetes? Se nuk e ka në kompetencë ligjore të bëjë azganllëqe të tilla!
Tani që s’ka nga ia mban, nuk po e zë gjumi natën! Kjo duket në sytë e tij të perënduar, në rrathët poshtë syve dhe në nervozizmin që po i shpërthen më tepër nga sa e ka në natyrë!
Ai nuk di të fshehë as vetveten. Që tani po nxjerr yçkla, se zgjedhjet do të jenë të falsifikuara. Duhet të jetë ai fitues, që të jenë të drejta! Por bathët e priftit nuk i japin të drejtë!
Ai po e parandjen humbjen. Vendi ynë është i penalizuar nga një politikan si ai, ndonëse nuk e quan veten politikan!