Leximi strabik i raporteve ndërkombëtare
Raporti i “Freedom House” i këtij viti, sigurisht që do të lexohet me syze të ndryshme, pasi media është polarizuar dhe strabike: një sy sheh majtas dhe tjetri djathtas. Një sy në sahan dhe tjetri në tavan. Dhe dikush do të përdorë lupën mikroskopike për të gjetur mikrobet në sistem, kurse të tjerë do ta valëvisin si anti-trup të fitores. çdo gjë është në funksion dhe brenda parametrave të pilotimit të opinionit publik. Ngase lë për të dëshiruar pak që referenca e raportit ndërkombëtar “Freedom House” mbështetet vetëm në integritetin intelektual të Gledis Gjipali-t (për hir të vërtetës: anëtar i G99 dhe së afërmi i PS-së) që është sa një mal në konflikt interesi në paraqitjen e të dhënave mbi Shqipërinë. Gjithsesi nuk mund të quajmë konflikt interesi lidhjet e tij familjare me PS-në ku nëna e tij Saemira Pino është anëtare e kryesisë së PS-së. Sakaq, Partia Socialiste dhe mediet e saj do të fokusohen tek pjesa për Zgjedhjet ku theksohet se “megjithëse zgjedhjet e qershorit 2009 plotësuan shumicën e standardeve të OSBE-së, ato nuk e realizuan plotësisht potencialin e Shqipërisë për t’ju përmbajtur standardeve më të larta demokratike, ndonëse u quajtën zgjedhjet më të mira të mbajtura deri tani në Shqipëri”. Ky informacion po ta kontrolloni me vëmendje do të jetë pak a shumë në këtë perifrazim nga opozita dhe mediet e saj e quan shuplakë për qeverinë: “Zgjedhjet nuk plotësuan standardet!” thotë PS-ja, duke marrë një pjesë selektive të fjalisë dhe duke e amplifikuar negativitetin; kurse djathtas sukses. Dhe e vërteta nuk qëndron as në mes. Pa dyshim që do të humbasë e vërteta që thekson se Shqipëria plotësoi 93 % përqind të standardeve, dhe se vendi ynë ka potencial për më shumë. Një njeri normal do ta shikonte gotën gjysmë plot, kurse një pesimist socialist do ta shikonte sigurisht gotën gjysmë bosh.
Natyrisht këto raporte kanë brenda shumë elemente gjeo-politike dhe si të tilla duhen konsideruar. Nëse merr e lexon raportin e “Human Rights” për SHBA habitesh se çfarë thuhet. Asnjeri s’e merr atë seriozisht në SHBA.
Leximi i raporteve ndërkombëtare – sipas rradakes – është bërë sporti më popullor në Shqipëri, mbase në një vit kalendarik ato mund t’i kalojnë 35 njësitë. Kemi nga Bashkimi Europian: Raporti i Progresit, nga Këshilli i Europës: Raporti i Monitorimit, nga OBSH-ja: Raporti mbi Shëndetin, etj. Nga OSBE-ja: Raporti Vjetor, nga FMN-ja e Banka Botërore: Raport Vjetor, nga Amnesty International e Transparency International: Raport Vjetor, nga USAID-i: Raportet mbi trafikun, nga PNUD-i: raporti mbi zhvillimin, nga OKB-ja: Raporti mbi drogat, nga Euralius-i: Raporti mbi Drejtësinë, nga UNICEF-i: Raporti mbi të drejtat e fëmijëve. Shumë prej përfundimeve të këtyre raporteve vijnë nga konkluzione të misioneve vëzhguese apo të vëzhgimeve në formën e sondazhit, pra perceptime. Të gjithë e dimë se media bie viktimë e dy ndarjeve, që për rrjedhojë çojnë në leximin strabik të raporteve ndërkombëtare: akuzat, kundër-akuzat, batutat dhe sharjet.
Sidoqoftë Freedom House e bën vlerësimin e vendeve të ndryshme me një sistem pikësh nga 1 deri në 7, sa më pak pikë, aq më i lartë është vlerësimi. Në aspektin e procesit elektoral, vlerësimi për Shqipërinë mbetet i pandryshuar, me 3,75 pikë ashtu si edhe në raportin e një viti më parë. Ky rezultat në këtë raport ka ardhur radikalizimi i teknicizmave dhe jo shikimi global i procesit. Para dy ditësh u mbushën një vit qëkurse sovrani cilësoi maxhorancën dhe minorancës në odën e demokracisë, por disa eksponentë anti-demokratik që duan të përdorin një kauzë si levë arkimedi për të kthyer përmbys një proces që është cilësuar më i mirë ndonjëherë për zgjedhjet në Shqipëri.
Gjithashtu po të lexosh drejt paragrafin që i kushtohet qeverisjes kombëtare thuhet se qeveria e re, e përbërë nga një koalicion i të djathtëve dhe i të majtëve, ka premtuar reforma rrënjësore në disa aspekte. Mirëpo, bojkotimi i kuvendit nga Partia Socialiste, vazhdon raporti, e ka penguar mjaft funksionimin e parlamentit. Sidozot Freedom House” vlerëson ndjeshëm Shqipërinë për punën e bërë në drejtim të institucioneve. Në një vit qeverisje të këtij koalicioni është bërë e mundur që nëpërmjet reformave ët arrihet të merret vendimi për liberalizimin e vizave, miratimi i ligjit “anti-mafia”, çka do të përkthehet në një luftë agresive ndaj fenomene dhe pasurive kriminale.