SHBA arreston 10 agjentë rusë, Moska thotë se është e turbulluar
Operacione në qytete të ndryshme. Ishin çifte të kamufluara me identitete false - Misioni i tyre ishte të arrinin sferat e politikës për të kuptuar strategjitë e së ardhmes
Më 2009 forcat e sigurisë kombëtare amerikane interceptuan ketë mesazh: “Jeni të dërguar në SHBA për shërbime të gjata. Edukimi juaj, kontot bankare, makina dhe shtëpia, etj., - e gjitha kjo shërben për një objektiv: të përmbushni misionin tuaj kryesor për të zhvilluar lidhje me qarqet politike të SHBA-ve dhe të dërgoni raportet në Qendër”. Stop.
Për mas-mediet amerikane ata janë “spiunë si ne”. Dhe në fakt, 10 agjentët rusë të arrestuar nga FBI-ja ngjanin me çiftet e zakonshme amerikane, njerëzit e SVR, spiunazhi i jashtëm i Moskës, i kishin kalitur mirë për t’u dukur si qytetarë amerikanë e kanadezë. Kurse një tjetër “në letargji” Vicki Pelaez, që thoshte se ishte nga Peruja, si mbulim punonte si gazetare. Për vite të tëra ka qenë komentatore e gazetës latino-amerikane “El Diario”, njëra prej të përditshmeve më të kuotura në SHBA. Krerët e ish-KGB-së i kishin dërguar në një terren armik të ndara në çifte, që të dukeshin burrë e grua. Dhe disa prej tyre kanë pasur edhe fëmijë. Një çift agjentësh quheshin Ricard dhe Cyntha Murphy dëftehen si të ndrojtur dhe misteriozë: “Shikonim gjithmonë të atin që shoqëronte dy vajzat në autobusin për fëmijë. Dhe pastaj nuk shiheshin fare në qarkullim...”. Ai thoshte se ishte arkitekt, kurse ajo një menaxhere. Qendra e Moskës i kishte dhënë një të kaluar dhe një të tashme: tituj studime, llogari bankare, punë, makina, etj. Identiteti ishte marrë nga persona të vdekur më parë. Në krahasim për rastet e tjera të spiunazhit, kësaj radhe agjentët kishin si detyrë infiltrimin në sferat e politikës për të arritur në konkluzione paraprake mbi qëllimet amerikane në sferën e fushës gjeo-politike dhe për të rekrutuar mundësisht “urithë” brenda sistemit atomik amerikan. Ata jetonin në mënyrë normale, por kishin mjete komunikacioni shumë të sofistikuara, bojë të padukshme, kompjutera me kriptograme, aparate radioje, aparate për stenografi, etj. Personat janë arrestuar gjatë ditës së shtunë dhe të dielën me akuzën e spiunazhit dhe të riciklimit të parave.
Sidoqoftë edhe CIA bën operacione të tilla – shkrua Marc Ambinder në sajtin e “The Atlantic”. Por këtë gjë e bën nëpërmjet kanaleve zyrtare, si funksionarë ambasadash apo konsullatash. Në këto vite që janë shtuar mjetet e komunikimit – Facebook, Google, - të futësh në ilegalitet ( NOC-s- non official covers) agjentë, bëhet gjithmonë e më e vështirë.
***
Moska reagon për arrestimin e agjentëve - Ministria e Jashtme e Rusisë tha se arrestimi i dhjetë spiunëve të dyshuar rusë në Shtetet e Bashkuara, është një rikthim i Luftës së Ftohtë. Përmes një deklarate, ministria tha se akuzat e SHBA-ve janë të pabaza dhe kanë qëllime “të paqarta”. Ministri i Jashtëm, Sergei Lavrov, deklaroi me sarkazëm të dukshëm se koha për arrestimet, është zgjedhur me kujdes të veçantë. “Ata nuk na e kanë shpjeguar se me çfarë ka të bëjë kjo. Unë shpresoj se do ta bëjnë. Gjëja e vetme që mund të them është se momenti për t’i bërë këto, është zgjedhur me mjeshtri të veçantë”, ka thënë Lavrov. Zyra Federale e Hetimeve, FBI ka arrestuar 10 persona nën akuzat se kanë qenë agjentë sekretë të shërbimit rus të zbulimit. Qëllimi i të arrestuarve ishte depërtimi në rrethet e politikbërësve amerikanë. Lajmi është bërë i ditur nga Departamenti i Drejtësisë i SHBA-ve. I akuzuari i njëmbëdhjetë, që i ka bërë pagesat dhjetë të arrestuarve, është në arrati.