Lezha miraton buxhetin e vitit 2026, Ndreu: 59% e fondeve për investime publike, fokus infrastruktura rrugore

Me 29 vota pro dhe 5 kundër, Këshilli Bashkiak i Lezhës miratoi buxhetin e vitit 2026, i cili kap vlerën 25.4 miliardë lekë, ku 61% mbulohet nga të ardhurat e Bashkisë, ndërsa 59% e tij do të shkojë për investime publike.
Kryetari i Bashkisë Lezhë, Pjerin Ndreu, u shpreh para këshilltarëve se buxheti ka ardhur në rritje dhe se pjesa më e madhe e tij do të shkojë për infrastrukturën rrugore në zonat urbane dhe rurale, duke mbyllur rreth 70% të problematikave ekzistuese.
“Vijmë me një buxhet të fokusuar kryesisht te infrastruktura. Pak a shumë adresojmë një projekt që shkon në 70 për qind të eliminimit të problematikës së infrastrukturës urbane dhe rurale. Vetë zhvillimi dhe turizmi e kërkojnë këtë si domosdoshmëri,” tha Pjerin Ndreu, Kryetar i Bashkisë Lezhë.
Gjatë diskutimeve, disa prej këshilltarëve prezantuan problematika, duke kërkuar ndarjen e fondeve në mënyrë të barabartë për adresimin dhe zgjidhjen e tyre
“Është e nevojshme dhe domosdoshmëri të ketë një çerdhe për fëmijët deri në 3 vjeç,” u shpreh Regjina Sokolaj, këshilltare e PS-së.
Alfrida Marku, këshilltare e opozitës, ngriti gjithashtu shqetësime lidhur me shpërndarjen e fondeve.
Me buxhetin e vitit 2026, Bashkia Lezhë ka planifikuar rehabilitimin e 112 rrugëve në zonat urbane dhe rurale, ndërtimin e pedonales nga sheshi “Papa Gjon Pali” deri te Xhamia, si dhe rikualifikime urbane, përfshirë sheshin e lagjes “Nënë Tereza” dhe zonën pranë stacionit të trenit.
/rtsh.al/