E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lezha përkujton sot Besëlidhjen e 2 marsit 1444

LEZHE - Qyteti i Lezhës përkujton sot Besëlidhjen e 2 marsit 1444. Festimet fillojnë në orën 11 në Bashki, ndërsa në aktivitete do të jenë të pranishëm kryeministri i Shqipërisë, z.Sali Berisha dhe ai i Kosovës, z.Hashim Thaçi.

Një trupë artistike nga Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit do të udhëtojë drejt qytetit verior për të interpretuar një program artistik të larmishëm me nota patriotike. Mësohet se ndër pjesët që do të interpretohen do të jenë: "Himni i flamurit" me tekst të Gjergj Fishtës e muzikë të Lec Kurtit; nga opera "Gjergj Kastrioti - Skënderbeu" interpretohet aria e Skënderbeut
"Lirinë s'ua solla unë" nga Erlind Zeraliu dhe aria e Donikës nga Eriona Gjyzeli, si edhe koralja "Po na thërret atdheu o burra"; fragment nga muzika e filmit "Skënderbeu" të Çesk Zadesë e koralja e Pjetër Gacit, "Gryka e Kaçanikut".
Më tej, nga opera e Kristo Konos "Lulja e kujtimit" interpretohet dueti i Olimbisë dhe Dhimitrit e finalja me soliste Ramona Tullumanin dhe Denis Skurën. Pritet të ketë edhe recitime të dy aktorëve të Teatrit Kombëtar.

Ndërkohë, solistë të Shtëpisë së Kulturës në Lezhë do të këndojnë këngë të ndryshme si "Besëlidhja e Lezhës", "Himni i Kastriotëve", "Buketë me këngë polifonike", pas të cilave do të interpretohet "Vallëzimi i Shqipeve".

(er.nu/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›