E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topalli: Humbja e statusit nuk është dështim i qeverisë

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, u shpreh në një emision televiziv, se humbja për herë të dytë e statusit të vendit kandidat të Shqipërisë për në BE nuk është një dështim i qeverisë.

"Është në dëm të vendit, por nuk është dështim i qeverisë, sepse qeveria mund të përdorë të gjitha instrumentat që ka në dorë, por nuk mund të imponojë opozitën, siç ja ka borxh qytetarëve”, tha Topalli.

Sipas saj, shoqëria shqiptare ka qenë me fat që reformat për të hyrë në NATO nuk kishin nevojë për 3/5 e votave, ashtu siç edhe heqja e vizave varej vetëm nga qeveria dhe jo nga opozita, ndërkohë që fatkeqësisht, statusi i vendit varet edhe nga opozita për të votuar ligjet me 3/5 që kërkon Brukseli.

"Maxhoranca nuk ka 84 vota, ato bëhen kur edhe opozita vendos të votojë ligjet që vendos Brukseli dhe që nuk ia kërkon vetëm qeverisë, por maxhoranca duket të bashkohet me opozitën”, tha Topalli.

Kryetarja e Kuvendit përshëndeti votimin sot në Kuvend të ndryshimeve në Kodin Penal me 126 vota, që me gjithë kundërshtimin e opozitës, më herët në komisionin e Ligjeve dhe sot në seancë plenare, në fund të debatit deputetët e majtë dhanë votën e tyre për katër nismat ligjore të propozuara.

Topalli u shpreh se opozita pas 10 orëve diskutim, vendosi si kusht burgosjen e statistikave, që sipas saj, është e pakuptimtë, antikushtetuese dhe nuk ndodh në demokraci. "Nuk mund të imagjinoj që në 2012 mund të ketë një dënim kolektiv, nga i cili jemi ndarë 20 vjet më parë" , tha Topalli.

Kryeparlamentarja u shpreh edhe në lidhje me sistemin e drejtësisë në vend, duke evidentuar problemet tek ai. Topalli u shpreh se ka probleme në shtyllën e Prokurorisë së Përgjithshme dhe në shkallët e gjyqësorit.

(ar.si/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›