Lezhë, mbetjet urbane shqetësim për zonat bregdetare në prag të sezonit turistik
Mbetjet urbane janë kthyer në një shqetësim, për zonat bregdetare të Lezhës në këtë prag sezoni turistik.
Nga një inspektim i kryer nga agjensia rajonale e mjedisit, është konstatuar se bregdeti i Shëngjinit dhe ai i Talës po shndërrohen në vendgrumbullime të mbeturinave, duke shkaktuar ndotje të lartë mjedisore. Përballë kësaj situate, agjensia rajonale e mjedisit në Lezhë, ka reagur duke i kërkuar komunës së Shëngjinit dhe asaj të Shënkollit, që të marrin masa për largimin e tyre, ose në të kundërt do të përballen me gjoba.
Drejtori i ARM-së në lezhë, Edmond Ndreu, siguroi se në vitet e ardhshme, bashkëpunimi mes njësive vendore dhe monitorimi ndaj hedhjes së këtyre mbetjeve, do të rritet.
Fundjava ka sjellë pushuesit në plazhin e Durrësit. Një atmosferë me të vërtetë e veçantë është krijuar jo vetëm nga pushuesit e ardhur nga rrethet dhe kryeqyteti, por edhe nga Kosova dhe Maqedonia. Një shëtitje në bregdet ,apo një kafe në lokal kanë shërbyer për t’ju larguar monotonisë së javës, në këto ditë të nxehta pranvere. Në mikrofonin e Ora News, qytetarët komentojnë këtë atmosferë dhe axhendën e një dite pushimi.
Ndërkohë edhe në qytetin e lezhës, shumë vizitorë i janë drejtuar plazhit të Shëngjinit, duke shijuar diellin dhe detin e tij.
Megjithëse jemi ende në muajin Prill dhe larg hapjes zyrtare të sezonit, të apasionuarit e bregdetit nuk kanë hezituar ti drejtohen dy prej destinacioneve të plazhit të Durrësit e Shëngjinit.