Bogdani: Rama e di më mirë se të gjithë se do humbasë në 23 qershor
Deputeti i Partisë Demokratike, Gert Bogdani, me anë të një deklarate për mediat nga Kryesia e Partisë Demokratike, ka akuzuar kreun e Partisë Socialiste Edi Rama, se me veprimet e tij ndaj diplomatit shqiptar në Vjenë ka dëmtuar imazhin e vendit.
Në deklaratën e deputeti demokrat thuhet:
Edi Rama dje në Vlorë përgënjeshtroi Edi Ramën e Tiranës të një dite më parë lidhur me aktin e tij të ulët dhe çnjerëzor të pashembullt në historinë e shtetit shqiptar: shkuljen e veshit dhe flokëve, goditjen e Diplomatit të ri shqiptar në sallën e Akademisë Politike në Vjenë duke diskretituar veten para opinionit publik shqiptar dhe diplomacisë botërore që ndodhet në kryeqytetin Austriak, duke dëmtuar imazhin e Shqipërisë në botë.
Si një i sëmurë psiqik apo i droguar me overdozë që humbet kontrollin e vetes së tij, Rama në Tiranë pas kthimit nga Vjena mohoi se ka përdorur dhunën fizike ndaj diplomatit shqiptar, përkundrazi ngjarjen e paraqiti si një trillim që nuk ka ndodhur.
Kurse dje në Vlorë Rama konfirmoi, vetë personalisht, të zezë mbi të bardhe, atë që kishte mohuar një ditë më parë ndonëse të gjithë shqiptarët besonin, se ishte më e pakta që ai kishte bërë në Vjenë në sallën e konferencave të Akademisë Politike ndaj diplomatit Egin Ceka.
Dje në Vlorë në vend të faljes publike që i kërkoi familja Ceka të bënte zoti Rama ai ofroi të kundërtën. Rama nga Vlora në një akt cinik që mund ta bëjnë vetëm njerëz të verbuar nga urrejtja njerëzore apo të sëmurë psiqikë që mjekohen në spitale psiqiatrike shpalli në Twitter datën 24 prill si ditën e shkuljes së veshit, dhe në të njëjtën kohë duke pritur me një cinizëm mavi, se sa do ishin njerëzit që do pëlqenin propozimin e tij dhe të miqve të tij, që u munduan ta mbulojne paturpësisht sulmin fizik që kreu i opozitës shqiptare bëri publikisht në zemër të Europës.
Me këtë akt Edi Rama, jo thjesht goditi për herë të dyte diplomatin dhe familjen e tij, por tentoi ti shkulte veshët çdo qytetari të Republikës së Shqipërisë, që priste nga Rama një sqarim apo një falje publike.
Me këtë postim ofendues dhe poshtërues për Egin Cekën dhe gjithë shqiptarët, ku shkuljet e veshit dhe flokëve nga Rama konsiderohen si diçka normale, që meritojnë dhe një ditë të veçantë nderimi, Edi Rama, jo vetëm çertfikoi aktin brutal ndaj diplomatit, por i siguroi shqiptarët se ai do të vazhdojë të sillet si i sëmurë psiqik apo si rrugaç i mirëfilltë dhe do të dhunojë fizikisht në të ardhmen, madje akoma edhe më rëndë, këdo që do ti dalë përpara, këdo që i bën pyetje që nuk i pëlqejnë, e që nuk e lënë atë të mbajë monologun e radhës.
Rama nuk kërkon falje dhe i thotë hapur shqipatereve se do ta vazhdojë rrugën e dhunës, pasi ai më shumë se kushdo tjetër, e ka të qartë se sa më shumë afrohet data e zgjedhjeve atë aq më pak e mbajnë nervat.
Atë nuk e mbajnë nervat sepse ai më parë se të gjithë e di se do të humbasë më 23 qershor.
Ankthi humbjes e detyron të mos kontrollojë veten e tij ose të përdorë doza që bëjnë të humbasë ekuilibrin psiqik .
Ankthi i humbjes e detyron atë të ofendojë çdo shqiptar që kërkon ti bëjë një pyetje të thjeshtë, çdo shqiptar që e sheh në sy.
Dhe ai sa më shumë afrohet 23 qershori, aq më shumë njerez do godasë dhe aq më shumë veshë do të kërkojë të shkulë barbarisht, e aq më shumë do të vazhdojë të dëmtojë imazhin e Shqipërisë, siç ka bërë vazhdimisht.
Në fakt ai ka ankthin më të madh nga të gjithë: ai ka ankthin se veshët do ti shkulen përfundimisht më 23 qershor por dhe komisioni parlamentar do të zbardhë para shqiptarëve karakterin brutal të dhunshëm të aktit të tij në Vjenë.