Lezhë, plan masash për ndërrimin e viteve
Drejtori i Drejtorisë së Policisë së Qarkut të Lezhës Muharrem Furriku ka garantuar rend dhe siguri për festat e fundvitit për të gjithë komunitetin e Qarkut të Lezhës. Furriku theksoi se është hartuar një plan masash me shërbime të përforcuara, për parandalimin e ngjarjeve kriminale, si dhe sigurimin e rendit dhe qetësisë publike gjatë ditëve të festimit të Vitit të Ri. Përmes këtij plani janë përcaktuar detyra për gjithë strukturat e Policisë së të tre komisariateve, me qëllim krijimin e kushteve optimale për festat e fundvitit, parandalimin e ngjarjeve kriminale apo rasteve aksidentale të dëmtimit të shëndetit e të jetës së komunitetit. ” Kreu i policisë së Lezhës u bëri apel prindërve që të tregojnë kujdes me fëmijët në përdorimin e fishekzjarrëve si edhe kapsollave. Sipas Furrikut, do të përforcohen edhe shërbimet policore për ruajtjen e sigurimin e objekteve të rëndësishme shtetërore, publike e private. Ndërsa me qëllim planifikimin e shërbimeve për kontrollin e territorit, do të bashkëpunohet me autoritetet vendore për tu njohur me programet apo aktivitetet e festimeve që do të zhvillohen gjatë fundvitit.
Furriku ka uruar qytetarët për një vit më të mbarë dhe më të qetë. L.Kokaj