E Diel, 1 Nëntor 2026

Liban, liderët sirianë dhe sauditë, vizitë për të qetësuar situatën

Vizita Kërkojnë arritjen e një stabiliteti dhe qëndrueshmërie politike në rajon

Presidenti sirian, Bashar al Assad, dhe Mbreti i Arabisë Saudite, Abdullah, kanë mbërritur në Bejrut të Libanit për bisedime me liderët libanezë. Qëllimi i këtij takimi të veçantë është qetësimi i tensioneve të krijuara në të gjithë rajonin, që pas detyrimit të trupave siriane që të largoheshin nga Libani pas vrasjes së Kryeministrit të atij vendi, Rafik Hariri. Liderët janë të shqetësuar se mos plas ndonjë konflikt nëse Organizata e Kombeve të Bashkuara, gjykata e saj që është marrë me hetimin e vrasjes së ish-kryeministrit, do të akuzojë për këtë vrasje anëtarë të lëvizjes Hezbollah, që mbështetet nga iranianët. Për liderin e Sirisë kjo është vizita e parë në këtë vend që pas ngjarjeve të vitit 2005 dhe kjo vizitë shënon një zhvillim të mëtejshëm në marrëdhëniet mes Arabisë Saudite dhe Sirisë, të cilat sapo kanë shkëmbyer marrëdhënie diplomatike mes tyre vitin e kaluar. Të enjten, të dy liderët, që janë edhe liderët e dy prej fuqive më të mëdha të rajonit, kanë rënë dakord të punojnë së bashku në mënyrë të ngushtë për të ndihmuar në stabilizimin e situatës në Liban. Libani vazhdon gjithmonë që të mbetet një vend me ekuilibra të brishtë. Kjo detantë mes Sirisë dhe Arabisë Saudite është kyçe për stabilitetin e Libanit, që gjithmonë është ndodhur në mëshirën e fatit të humorit dhe veprimeve të fqinjëve të tij të fuqishëm. Hezbollahu është aleati më i madh që ka Siria në Liban, ndërsa sauditët janë shumë të përfshirë me komunitetin sunit në vend dhe Kryeministrin aktual të vendit, Saad Hariri, që është edhe djali i ish-kryeministrit të vrarë të vendit në vitin 2005. Assad dhe Mbreti Abdullah mendohet se kanë ndihmuar edhe në përfundimin e 5 muajve gjatë të cilëve u formua qeveria e re e Libanit. Ishin pikërisht ata që i dhanë fund ngërçit politik në Liban dhe sollën në jetë formimin e një qeverie të unitetit kombëtar, në të cilën janë të përfshirë edhe hezbollahët.

Siria dhe sauditët janë takuar edhe me Presidentin e vendit, Mishel Sulejmën, dhe më pas janë takuar edhe me anëtarë të qeverisë. Marrëdhëniet e Libanit me Sirinë kanë qenë të komplikuara që nga vrasja e Haririt dhe demonstratat e mëdha anti-siriane që pasuan, shkaktuan edhe largimin e trupave siriane nga Libani pas 29 vitesh qëndrim në vitin 2005. Por marrëdhëniet që nga ai moment janë përmirësuar ndjeshëm dhe Kryeministri i Libanit ka qenë dy herë në vizitë zyrtare në Siri dhe vizita e Assad shërben për përmirësimin e mëtejshëm të marrëdhënieve.

#

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›