Ashton: BE ka plan për dialogun e Kosovë-Serbi
Shefja për Politikën e Jashtme të Bashkimit Europian, Catherine Ashton, u shpërndau vendeve anëtarë të BE-së propozimin e rezolutës për Kosovën, në të cilën miratohet mendimi i GJND-së, kurse Beogradi dhe Prishtina ftohen për dialog, “në frymën e marrëdhënieve ndërfqinjësore”. Në tekstin e projektrezolutës nuk përmendet askund statusi i Kosovës, raportojnë mediat. Zyra e Catherine Ashton ua ka shpërndarë vendeve anëtare të BE-së projektrezolutën për Kosovën vetëm dy ditë pasi Serbia i dorëzoi Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së propozimin e dokumentit të vet për Kosovën, pas mendimit të GJND-së. “Miratojmë me respekt mendimin këshillëdhënës të GJND-së nga data 22 korrik e vitit 2010 të dhënë në bazë të kërkesës së Asamblesë së Përgjithshme, se shpallja e pavarësisë së Kosovës është në përputhje me të drejtën ndërkombëtare”, theksohet në tekstin e projektrezolutës. “Asambleja e Përgjithshme përshëndet qëllimin e palëve që të vazhdojnë zhvillimin e marrëdhënieve të mira ndërfqinjësore, demokracinë, bashkëpunimin rajonal e ekonomik në përputhje me perspektivën e tyre europiane”, theksohet në dokument për përmbajtjen e të cilit do të deklarohen gjatë ditëve të ardhshme, veç e veç, vendet anëtare të BE-së. Autorët e kësaj rezolute konsiderojnë se BE-ja do t’ia dalë të sigurojë komunitetin rreth thelbit të tekstit, meqë gjuha dhe toni i dokumentit janë “padyshim” të pranueshme edhe për pesë anëtaret e tjerë të BE-së që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës: Greqia, Spanja, Rumania, Sllovakia dhe Qipro. Propozimi i rezolutës së BE-së, sipas mediave të Beogradit, njoftohet se u hartua “menjëherë pasi shefi i diplomacisë serbe, Vuk Jeremiç, i dorëzoi Asamblesë së Përgjithshme propozimin serb të dokumentit, me të cilin propozohet që Asambleja e Përgjithshme “të marrë në dijeni” mendimin e GJND-së dhe që palët “të gjejnë zgjidhje të pranueshme reciprokisht për të gjitha çështjet e hapura përmes dialogut paqësor, në interes të paqes, sigurisë dhe të bashkëpunimit në rajon”.
#