Libër për babën
Korab Shaqiri ka bërë një libër me rreth 100 këngë të babait të tij Ilir Shaqiri, të cilën e ka botuar në disa kopje, por për kopjet e tjera është duke kërkuar donacion shtesë.
“Ne kemi marrë një donacion prej Ministrisë së Kulturës, por jemi duke kërkuar edhe një donacion nga Posta dhe Telekomi i Kosovës dhe shpresojmë që edhe aty do të marrim ndonjë donacion që libri të shtypet në 500 deri në 1000 kopje”, ka thënë për Express Korab Shaqiri, që është edhe autor i këtij libri.
Megjithatë, Shaqiri ka thënë se libri nuk ka një përmbajtje, por në të janë këngët e babit të tij, të cilat ai i ka kënduar për një kohë të gjatë si kantautor dhe këngëtar.
“Edhe nëse nuk arrij që të siguroj ndonjë donacion shtesë, botimin e librit do ta bëj edhe me mjete të mia, sepse këtë jam duke e bërë për babin tim”.
Shaqiri ka thënë se nuk ka fituar diçka nga ky libër dhe se nuk e ka pasur asnjë synim të këtillë që ta bëjë.
“Ndërkaq, ideja ka ardhur pasi kam parë librat me partitura të këtilla, ndërkaq tekstit ose një redaktor të këtyre partiturave do ta bëj babi im dhe kompozitori më të cilin ai ka punuar më së shumti, Xhevdet Gashi”.
Ndryshe, Ministria e Kulturës për këtë libër ka dhënë një donacion prej 4000 eurosh, mjete të cilat Korabi i ka arsyetuar pranë këtij institucioni.
“Pra, ky libër pasi të shtypet nga 500 deri në 1000 kopje do ta shpërndajmë për shumicën e kolegëve, por edhe nëpër shkolla të muzikës”, thotë ai.
Ndërkaq, i pyetur se a do ta bënte një libër të këtillë për ndonjë këngëtar tjetër kosovar, Korabi ka thënë se për momentin nuk do ta bënte këtë sepse është i zënë shumë më studime të magjistraturës.
Në fund ai nuk ka harruar pa i falënderuar edhe personat që i kanë ndihmuar në këtë projekt, Arlind Gjyshinca dhe Dardan Osmanaj.