Liberalizimi i vizave për Kosovën, Begaj: Vendim i merituar! Nikolla: Hap para drejt BE

Presidenti Bajram Begaj dhe kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla kanë përshëndetur vendimin e Këshillit të Ministrave të BE për miratimin e liberalizimit të vizave për Kosovën.
Begaj e cilësoi një vendim të merituar, ku tashmë qytetarët e Kosovës do ndihen njësoj si qytetarët e tjerë të Ballkanit Perëndimor
“Përshëndes hapin e rëndësishëm të ndërmarrë nga Këshilli i Bashkimit Evropian lidhur me lëvizjen e lirë, pa viza te qytetarëve të Kosovës ne hapësirën Shengen! Uroj që ky proces të përmbyllet sa më shpejt dhe qytetarët e Kosovës të ndjehen njësoj si qytetarët e tjerë të Ballkanit Perëndimor! Një vendim shumë i merituar”, shkruan Begaj.
Për Lindita Nikollën, ky vendim i BE është një hap para për Kosovën drejt familjes europiane.
“Miratimi nga Ministrat e Brendshëm të 27 vendeve anëtare të BE-së i vendimit për liberalizimin e vizave për shtetasit kosovarë, një lajm i mirë; një hap përpara i Kosovës drejt familjes evropiane dhe një hap përpara i BE-së drejt mbështetjes së rrugëtimit evropian të Kosovës”, shkruan Nikolla.
Këshilli i Ministrave të BE miratuan liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, që do të nisë nga data kur të jetë tërësisht funksional sistemi i autorizimit dhe verifikimit të udhëtimeve (ETIAS), apo jo më vonë se 1 janari i vitit 2024.
/rtsh.al/