E Diel, 1 Nëntor 2026

Liberalizimi, vendimi në qershor, zbatimi në tetor

16/04/2010 Protestat dhe pretendimet e opozitës kanë ngadalësuar procesin

Fajon deklaron se delegacioni i PE-së do të vijë sërish në Shqipëri

Ka disa ditë që flitet për Shqipërinë në Bruksel. Vizita e Kryeministrit Berisha në institucionet evropiane ka ngjalluar interes dhe është ndjekur nga mediat e shumta. Berisha u prezantua me një libër blu, i cili në brendësi kishte 2284 përgjigjet e Qeverisë së Tiranës për statusin e vendit kandidat në Bashkimin Evropian, 2284 përgjigje që dëshmojnë dëshirën e këtij vendi për të qenë pjesë e familjes evropiane. Siç e tha dhe vetë Kryeministri shqiptar, është libri më i rëndësishëm në historinë e Shqipërisë. Është vullneti i politikës së këtij vendi, që në një të ardhme të afërt të jetë pjesë e ëndrrës evropiane.

Mbështetja

Zyrtarë të lartë në Bruksel janë shprehur se vendi ka bërë përparim të ndjeshëm në formalitetet e kërkuara nga Plani i Punës për hapat e nevojshëm për liberalizimin e vizave. Qeveria ka ecur mjaft përpara në pikat kyçe të tilla, si: lëshimin e pasaportave biometrike, sigurinë e kufirit apo luftën kundër krimit të organizuar, dhe është shumë më përpara vendeve si Bosnjë-Hercegovina. Të njëjtat burime shprehen se vendi gjithashtu është duke bërë përparim të rëndësishëm në përmbushjen e standardeve dhe padyshim dhe në përmbushje të marrëveshjes së Stabilizimit dhe Asocimit falë përpjekjeve dhe të një ministreje vërtet të përkushtuar, siç është zonja Majlinda Bregu.

Zyrtarët e BE-së janë të mendimit se angazhimi nga ana e palës shqiptare për plotësimin e kushteve ka qemë serioz dhe se shqiptarët, në avangardë madje dhe me disa vende që kanë përfituar nga liberalizimi i vizave, e kanë kuptuar shumë mirë se çfarë duhet për. Për këtë qëllim, burimet shprehen se më 1 qershor të këtij viti do të merret vendimi për liberalizimin e vizave me Shqipërinë, vendim i cili do të mund të hyjë në fuqi vetëm në tetor. Burime në Komisionin Evropian, por edhe në Parlamentin Evropian, thanë se për Shqipërinë janë të gjithë në një mendje, dhe mbetet vetëm konfirmimi zyrtar. Në këtë drejtim, Shqipëria ka dhe dy aleatë të fuqishëm, siç janë Italia dhe Franca, të cilët e kanë shprehur dhe më parë opinionin e tyre me anë të ministrave të jashtëm Fratini dhe Kushner.

Kriza politike

Por përpos panoramës pozitive, ka dhe një aspekt tjetër të errët. Bëhet fjalë pikërisht për krizën politike të çuar përpara nga lideri opozitar Rama. Përfaqësues të lartë të PE-së, por edhe të Komisionit Evropian, janë shprehur se Rama dhe PS-ja e kanë vendin nën një presion të fortë destabiliteti, i cili ushqen herë pas here zëra të deputetëve të ndryshëm të dalin kundër proceseve integruese të Shqipërisë. Për këtë arsye, raporterja për Ballkanin, Tania Fajon, u shpreh dje për mundësinë e ardhjes në Tiranë të një grupi deputetësh, që do të tentojnë të ulin në dialog forcat politike në vend. Protestat e Ramës, në të vërtetë jo pak herë janë parë me mosbesim nga shumë eurodepuetë, për më tepër që në tryezat e tyre qëndron dhe raporti i OSBE/ODHIR për zgjedhjet, që është krejt i kundërt me atë që pretendon Rama. E thënë më shkoqur, në rast se nuk do ishin protestat dhe pretendimet e opozitës, shqiptarët tashmë do të lëviznin lirshëm në hapësirën “Shengen”. Ndërkohë edhe shtypi ndërkombëtar po vazhdon ta ndjekë me interes krizën shqiptare, dhe kjo u vu re dhe nga pyetja që iu drejtua Kryeministrit në konferencën për shtyp me komisionerin Fyle. Si Bashkimi Evropian, ashtu edhe opinioni publik po presin për një përgjigje.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›