E Shtunë, 31 Tetor 2026

Libi Britania terheq stafin diplomatik

Mbretëria e Bashkuar ka tërhequr një pjesë të stafit të saj diplomatik në Libi, si përgjigje ndaj destabilitetit politik në këtë vend.

Lajmin e ka bërë të ditur Foreign Office, sipas të cilës fillimisht është tërhequr një numër i vogël që punon me ministritë libiane. Milicitë e armatosura së fundmi kanë bllokuar aksesin tek ndërtesat e ministrive, në përpjekje që të pranohen kërkesat e tyre politike. Megjithatë, ambasada britanike do të mbetet e hapur si zakonisht, duke ofruar shërbimet konsullore dhe ato për vizat, ka bërë të ditur Foreign Office. Muajin e kaluar një autobombë shpërtheu jashtë selisë së ambasadës franceze në Tripoli, duke plagosur dy roje franceze dhe banorët e ndërtesave përreth. Ky ishte sulmi i parë madhor ndaj një ambasade të huaj në kryeqytetin libian. Aktualisht Foreign Office këshillon shmangien e udhëtimeve, përveç rasteve kur bëhet fjalë për udhëtime të rëndësishme, në zonat jashtë kryeqytetit të Libisë, sidomos në Bengazi. Konsullata amerikane në Bengazi u sulmua nga persona të armatosur në shtator të vitit 2012, sulm që çoi në vrasjen e ambasadorit Christopher Stevens dhe tre shtetasve amerikanë. Javën e kaluar FBI publikoi fotot e tre personave që sipas saj ishin pranë konsullatës në Bengazi kur ajo u sulmua vitin e kaluar.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›