Libi, avionët e NATO-s bombardojnë Sirten
Avionët britanikë të NATO-s kanë bombarduar sot një bunker ku mendohet se fshihet kolonel Muamar Gadafi, në Sirte, vendin e tij të lindjes. Bombardimet e NATO-s në këtë zonë kanë nisur natën e së enjtes.
Rebelët libianë janë duke mbledhur forcat, për një sulm përfundimtar në Sirte, megjithëse ata vazhdojnë të përballen me rezistencë të fortë.
Ndërkohë, OKB-ja ka rënë dakord për lirimin e 1.5 miliardë dollarëve fonde, të cilat ishin ngrirë. Fondet do të shërbejnë për ndihmë të menjëhershme humanitare.
Më herët presidenti i Afrikës së Jugut, Jacob Zuma tha se Bashkimi Afrikan nuk do të njohë Këshillin Kombëtar Tranzitor në Libi, si përfaqësues të vetëm të libinave deri në fund të luftimeve.
Një përfaqësues i rebelëve, raportohet të jetë shprehur se tashmë Tripoli është 95% në duart e tyre. Ai tha se , kryengritësit mendojnë se në 72 orët e ardhshme Gadafi mund të arrestohet.