Libia ka një Gadaf, Kosova ka shumë
Gjatë epokës socialiste të viteve 1970 dhe 1980, qindra prindër në Kosovë i kanë emëruar fëmijët e tyre në emër të liderit libian Muammar Gaddafi, si person që e admironin për qëndrimin dhe përkushtimin e tij ndaj Islamit.
Agjencia e lajmeve Reuters ka bërë një reportazh në Kosovë pikërisht me emrat e liderit të Libisë, Muammar Gadaffi.
Siç shkruan kjo agjenci, tani që NATO-ja, përkrahëse e pavarësisë së Kosovës, po lufton ndaj regjimit të Gaddafit, janë kohë të sikletshme për fëmijët me emra të tillë.
Nënës sime i ka pëlqyer emri Gaddafi pasi që ka menduar se ai është lider i të gjithë Myslimanëve, thotë studenti i ekonomisë, Gadaf Abdyli, 22-vjeç.
Unë e konsideroj atë si diktator… beteja për pushtet është gjithçka për të. Ai është diktator që i përket shekullit të kaluar.
Një zyrtar i ministrisë së jashtme të Kosovës ka thënë se në vend ka më shumë se 100 persona të quajtur Gadaf. Disa prej tyre madje kanë edhe profilet e tyre në Facebook.
Sipas mendimit tim, nuk është mirë të mbahen emra liderësh, pasi që gjërat mund të ndërrojnë, siç është rasti tani, thotë Gadaf Latifi, 25-vjeç, një arkitekt nga Prishtina.
Abdyli thotë se nuk ndjehet rehat me emrin e tij, mirëpo nuk do ta ndërrojë pavarësisht sugjerimeve nga miqtë e tij.
Mendoj se emri nuk ndërton personalitetin, por personaliteti e ndërton emrin, thotë ai.
Viteve të fundit, prindërit kosovarë i janë kthyer liderëve tjerë politikë për ti emëruar fëmijët e tyre. Sot mund të gjeni emrat si për shembull, “Klinton”, “Tonibler” dhe “Ollbrajt”.
Të gjithë këta janë politikanë që luajtën rol në intervenimin e NATO-s në Kosovë në vitin 1999 kundër Serbisë, dhe që shtruan rrugën drejt pavarësisë së Kosovës. /zëri/