E Shtunë, 31 Tetor 2026

Libia mbetet pa kryeministër

Kryeministri i Libisë është rrëzuar nga posti të dielën me një votë mosbesimi, vetëm katër javë pas zgjedhjes së tij. Mustafa Abu Shagur nuk arriti të bindë asamblenë kombëtare as me propozimin e përmirësuar për kabinetin e ri qeverisës. Kështu largohet nga posti i pari kryeministër i zgjedhur me votë të lirë, që prej rrëzimit të diktatorit Muammar Gaddafi.

Kundër listës fillestare të ministrave pati qëndresë të fortë nga deputetët dhe popullsia. Libianë të zemëruar madje sulmuan Asamblenë Kombëtare. Vetëm pak muaj pas kalimit të parë paqësor të pushtetit pas 40 vjetësh, po bëhen të qarta vështirësitë e mëdha për krijimin e një qeverie stabile në këtë vend.

Abu Shagur deklaroi se ai është vënë nën trysni nga fraksione të ndryshme për të shpërndarë poste ministrore sipas dëshirës së grupacioneve. Akademiku Abu Shagur u zgjodh nga Asambleja Kombëtare me premtimin për t'u dhënë fund problemeve të sigurisë në Libinë e pasur me naftë.

Situata u keqësua sidomos pas sulmit kundër konsullatës amerikane në Bengazi, ku humbën jetën disa amerikanë, si edhe ambasadori i SHBA-së në Libi, Christopher Stevens.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›