E Shtunë, 31 Tetor 2026

Chavez rizgjidhet president i Venezuelës

Në Venezuelë do të vazhdojë kursin socialist populisti i majtë, Hugo Chavez, i cili mund të qeverisë vendin edhe gjashtë vitet e ardhshme si president.

Pushtetmbajtësi Chavez mori rreth 54 për qind të votave në zgjedhjet presidenciale të zhvilluara të dielën, bëri të ditur Komisioni kombëtar zgjedhor. Sfiduesi i tij, juristi 40-vjeçar Henrique Capriles mori 45 për qind të votave. Humbja e Capriles ishte një disfatë e rëndë për opozitën, e cila bazuar në disa sondazhe llogariste me gjasa për fitore.

Pjesëmarrjen e lartë në zgjedhje prej mbi 80 për qind kryetari i shtetit e vlerësoi si dëshmi të lëvizjes demokratike në vend. Chavez e ftoi opozitën të bashkëpunojë. Para mijëra përkrahësve që festonin në Caracas rizgjedhjen e tij, Chavez tha se dëshiron t'i përfshijë të gjithë në punën e tij, edhe pjesë të opozitës.

Në të gjithë vendin zgjedhjet u shoqëruan nga masa të forta sigurie. Sipas njoftimeve nga rajonet e ndryshme të vendit, votimet janë zhvilluar paqësisht. Në prag të zgjedhjeve kishte shqetësime se një rezultat i ngushtë mund të shkaktonte protesta.

Këto zgjedhje konsideroheshin si më të vështirat për Chavez, që prej marrjes së mandatit në shkurt të vitit 1999.

Tani presidenti i majtë do të ketë mundësi të konsolidojë deri në 2019 modelin e tij të "socializmit të shekullit 21". Ndërsa Capriles, kandidati i përbashkët i forcave opozitare në Venezuelë, kishte premtuar ndryshim kursi.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›