E Shtunë, 31 Tetor 2026

Librazhd, vdesin bashkëshortët, rëndë vajza 15-vjeçare

Policia: Shkak për aksidentin një parakalim i gabuar i "Opel"-it dhe shpejtësia tej normave e kamionit

LIBRAZHD - Përplasja e një kamioni të drejtuar nga një shtetas maqedonas me një autoveturë ka shkaktuar vdekjen e një çifti, si dhe plagosjen rëndë të vajzës së tyre adoleshente. Ngjarja e rëndë është regjistruar rreth orës 15:30 të së hënës në afërsi të Qukësit, përgjatë rrugës nacionale Librazhd-Përrenjas. Burime nga policia bënë të ditur se në afërsi të një kthese, automjet tip "Opel" me targa TR 4437 K, i drejtuar nga Demir Besimi, 45 vjeç, është përplasur me një kamion me targa KU 491 CH, i cili drejtohet nga shtetasi maqedonas Mamcio Dimitroski me banim në Kumanovë. Në këtë aksident ka gjetur vdekjen në vend 45-vjeçari Besimi, ndërsa janë aksidentuar rëndë bashkëshortja e tij, Esmeralda, 37 vjeçe, dhe vajza adoleshente, Elkida, 15 vjeçe.

Menjëherë pas aksidentit dy të lënduarat janë transportuar drejt spitalit të Librazhdit ku janë mbajtur nën kontroll për disa orë. Por për shkak të hemorragjisë dhe të dëmtimeve të rënda 3 orë më pas ka humbur jetën edhe bashkëshortja e viktimës, 37-vjeçarja Esmeralda Besimi. Me gjithë përpjekjet e mjekëve, për të nuk ka pasur asnjë mundësi shpëtimi për shkak se ka qenë në sediljen e përparme të mjetit dhe ka marrë goditje të forta. Mjekët kanë kërkuar transportin e menjëhershëm të vajzës së mitur drejt Spitalit Ushtarak të Tiranës. Edhe gjendja e saj paraqitet e rënduar. Mësohet se edhe drejtuesi i kamionit ka mbetur i plagosur i lehtë.

***

Ndërkohë, një grup hetimor ka mbërritur në vendin ku është shënuar aksidenti fatal. Mjeti tip "Opel" thuajse është shtypur plotësisht nga përplasja e fortë. Dyshohet se drejtuesi që ka humbur jetën, të ketë bërë një parakalim të nxituar në kohën kur është ndodhur përpara kamionit, i cili mendohet të ketë qenë me shpejtësi tej normave duke mos shmangur përplasjen. Ky është versioni i parë i ngritur nga specialistët e aksidenteve të mbërritur në vendin e tmerrit. Mësohet se drejtuesi maqedonas i kamionit është shoqëruar në komisariatin e Librazhdit.

Ai pritet të procedohet për shkelje të rregullave të qarkullimit, pasi dyshohet se ka qenë me shpejtësi mbi normat e lejuara. Mësohet se familja Besimi ishte duke udhëtuar nga kryeqyteti drejt Pogradecit kur është përfshirë në aksidentin që mori dy jetë dhe la jetime vajzën e mitur. Aksidentet nuk kanë munguar këto ditë në qarkun e Elbasanit. Tre viktima numërohen brenda 24 orëve në rrugën nacionale Qafë-Thanë-Peqin, ndërsa një i ri humbi jetën nga përplasja e automjetit në dalje të Gramshit.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›