E Shtunë, 31 Tetor 2026

Godo: Projektvendimi i tokave s'mund të zbatohet

Kreu i Republikanëve shpreh rezervat e tij në lidhje me idenë e qeverisë për t'ua marrë tokën pronarëve e për ta dhënë me qira



TIRANË - Presidenti i nderit të republikanëve, Sabri Godo, shpreh rezerva të forta në lidhje me projektvendimin e qeverisë që përcakton marrjen e tokës pronarëve që nuk e punojnë atë. Ai e cilëson atë një ide teorikisht të mirë, por që nuk duket se do të gjejë zbatim praktik, pasi nuk ka asnjë mënyrë reale për të funksionuar. Godo i ka kërkuar qeverisë që të punojë për të gjetur mënyra se si fshatarët të shesin produktet e tyre dhe jo vendime të tilla. Pak ditë më parë, Berisha hodhi idenë që t'u merret prona fshatarëve, të cilët nuk punojnë tokën dhe ajo t'u jepet fermerëve të tjerë më të interesuar për të bërë një gjë të tillë.

"Mua më duket disi e paqartë kjo ide që të lihet në dorë të komunave dhe komuna pastaj t'i japë pronarit 10 për qind. Ku do ta gjejë këtë 10 përqindësh në marrëdhëniet me kontraktonin e ri?",- ka pohuar dje Sabri Godo. Ai ka shtuar se si ide duket e mirë, por nuk më duket se do të gjejë zbatim praktik. Duke u kthyer tek çështja e tokave, Godo ka pohuar se toka e papunuar është një problem i madh, por, sipas tij, vëmendja duhet të përqendrohet tek arsyet që garantojnë zhvillimin e bujqësisë. "Qeveria e ka marrë këtë nismë në kohë, por unë them se duhet të shtrihet dhe të konceptohet më tepër si një reformë e thellë që duhet bërë në bujqësi dhe brenda kësaj është ky problem që shqetëson me të drejtë qeverinë.

Përse ndodh që një pjesë është e papunuar, sepse ndodh që atje ku punohet prodhimi shkon dëm",- tha Godo.

Ai mori si shembull fermerët e Devollit, të cilët hedhin në lum një pjesë të madhe të qepëve që prodhojnë, pasi nuk kanë se ku t'i shesin. E njëjta gjë ndodh edhe në Dibër, ku patatet shpeshherë kalben, pasi nuk ka treg për t'i shitur. "Pra, problemi është shumë më kompleks se sa duhet. Këtu kemi të bëjmë me një lloj anomalie që duhet mënjanuar",- ka pohuar dje Godo.

Ndërkohë, ministri Jemi Gjana ka shpjeguar se ky ligj ka ardhur si nevojë e nxitjes së punimit të tokave dhe sipas tij, kjo do të jetë mënyra më oportuniste dhe se qeveria nuk ka ndërmarrë asnjë nismë për heqjen e titullit të pronësisë dhe aplikimin e taksave të larta për ata që nuk e punojnë tokën. Statistikat tregojnë se toka bujqësore zë rreth 24 për qind të totalit të tokës gjithsej në vendin tonë. Pyjet, livadhet dhe kullotat zënë pjesën më të madhe të sipërfaqes së vendit tonë, me 51 për qind, ose rreth 1.5 milionë hektarë. Ndërsa tokat e tjera arrijnë në 713 mijë hektarë, ose 25 për qind e totalit të tokave në Shqipëri. Nga viti në vit është vënë re një rënie e sipërfaqes së mbjellë, duke sjellë edhe rënie të prodhimit për shkak të pamundësisë për të konkurruar me prodhimet e importit.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›