E Shtunë, 31 Tetor 2026

Libri “Balada pa mite” - një mundësi për të eksploruar botën

09/01/2012  Ylli Hoxhaj, një “arkeolog” që gërmon në shpirtrat njerëzor

Ylli Hoxhaj është një poet 70-vjeçar, që duket se ka vendosur të sfidojë etapat e ligjësive poetike, ku kritikët e artit kanë më shumë se 50 vjet që përsëritin frazën “koha e baladave ka ikur”. Pikërisht me një varg të rebeluar baladash, duke i renditur në strofa tradicionale, Hoxhaj përshfaq mesazhet e kohëve moderne, duke derdhur mbi plagët e shoqërisë së sotme lotët tradicionalë të njerëzimit dhe duke guxuar ta krahasojë emigracionin e kohëve të sotme me kurbetin e dikurshëm të “Urës së Qabesë”. Duket se me një mozaik gjuhësor perfekt poeti i talentuar ka mbështjellë të gjitha dhimbjet e fshatit Xhanaj të Përmetit, duke i grumbulluar ato në koleksionin e të gjitha plagëve të qyeteve e fshatrave të botës për t’u gjetur atyre melhemin apo ilaçin e vërtetë të shpirtrave të trazuar.

Ai ka prezantuar universin e ri si një parajsë të falsifikuar, ku njerëzit qarkullojnë të vetmuar, sepse fëmijët e tyre kanë emigruar drejt kurbetit. Por ajo që e dallon Ylli Hoxhajn nga profesionistët e vjetër e të rinj të mbarëshkrimit të baladave ka të bëjë me cilësitë e tij të rralla për të prekur sfidat e realitetit të ri botëror me një ndjeshmëri të veçantë. Në vargjet e tij duket se nuk ka fjalë, por lot zemre. Aty ndihet dashuria dhe dhimbja për zhvillimet mbarëbotërore, duke e skalitur me kujdes mallin e prindërve te shkëmbinjtë e deteve. Por atje duket qartë se mungon urrejtja për autorët e plagëve sociale, të cilën Hoxhaj duket sikur qëllimisht përpiqet ta shkruajë në akull, duke pritur mëngjesin që ta shkrijë. Hoxhaj është nga ata poetë që preferon më mirë të ndezë një qiri drite, sesa të shohë errësirën. Që në vjershën e parë të titulluar “Prindër të vetmuar” autori duket se ka gjetur çelësin e duhur për të hapur portat e enigmës e për të përshkruar ndjesitë e tij në baladat e reja.

Dikur kurbetlinjtë në mënyrë tradicionale kaptonin 7 dete apo 7 male për të ikur drejt një jete më të pranueshme ekonomiko-sociale. Dhe prapa linin lotët e njerëzve të dashur, të prindërve, motrave apo vëllezërve të tyre. Por sot, siç e thotë edhe poeti, “ky cak tani humbi, erdhën kohë të lira/ baladat e reja paskan shumë çudira”.

Është pikërisht kjo përmasë e misterit të ri njerëzor që zbardh një pjesë të madhe të dëshpërimit, por dhe të shpresës. Për këtë arsye, sapo lexon vargjet e para të baladave të tij, lexuesi e kupton se ka gjetur limanin e duhur poetik për të zbuluar pak prehje dhe ngushëllim në universin e figurave letrare, të cilat poeti i ka kombinuar mjaft bukur me ritmin tradicional të baladave. Më poshtë zemra e djegur nga malli e poetit vazhdon monologun brilant:

“Këtej të vetmuar/ Ju larg në kurbete,/ Ne në monologë flasim me vete.”

Dhe pak më poshtë, duke shtruar një pyetje retorike, Ylli Hoxhaj duket se u ka dhënë përgjigje të gjitha mistereve të kohës moderne. Ai thotë:

“Pse, o brezi im, kaq derte e kaq halle? / ǒështë gjithë kjo ikje,/ Kjo braktisje e madhe?”

Dhe në fund ai e mbyll baladën me dy vargje perfekte:

“Eh, vetmi e egër, helm i kësaj jete,/ qenkemi me dhjetëra që flasim me vete!”

Ndërsa në baladën tjetër të titulluar “Balada e re” Hoxhaj bën krahasimin e pozicionit të tij me atë të Ymer Agës, duke ndërthurur bukur aspekte të realitetit të ri. Ai thotë:

“Agës ia merrte nusen pasha,/ Mua djemtë m’i rrëmbyen dy vasha,/ Dy vasha bionde, dy vasha nordike/ M’i puthkërkan djemtë pa pikë droje e frike.”

Në këtë mënyrë libri poetik i Ylli Hoxhajt shndërrohet në një busull orientuese për bashkëkombësit e vet, ku gati çdo familje apo shtëpi përjeton mallin dhe dhimbjen e kurbetit. Ky libër përbëhet nga 134 faqe dhe është ndarë në gjashtë kapituj, të cilët ngjajnë si semaforë orientimi për drejtimin e planetit shpirtëror. Në secilin kryqëzim të këtij universi, ashtu si në secilën faqe të librit të tij, nuk mund të kalosh dot pa derdhur lot, sepse shqisa brilante e poetit ka ndërtuar atje postblloqe reale, ku çdo njeri ndalon frymëmarrjen e zemrës për të rishikuar pozicionin e jetës. Në kapitullin e dytë, të tretë apo të katërt lexuesi përballet me të vërtetat dhe dhimbjet e kohëve moderne. Aty gjithçka është në vendin e duhur. Ndërsa në kapitullin e pestë, të titulluar “Janinë, ç’më panë sytë”, poeti na detyron të hyjmë në muzeun e kujtimeve të riciklueshme, duke përmendur shpesh imazhe të personazheve apo elementeve historike, si Dodona, Ali Pashai, Rrapi i Bilbilenjve, Urën e Artës, kafenetë e Prevezës etj. Dhe në baladën e titulluar “...jati?, Përse?”, ai e mbyll bukur, duke iu përgjigjur Frosinës, personazhit biblik, me këto fjalë: “Vjen e do të shkojë ajo në tërë brezat që vijnë,/ Kush do t’i japë përgjigjen s’e dimë./ Mos të vrau bukuria, o motra Frosinë?”

Më tej në baladën “Motrës në ditët e vështira”, poeti i drejtohet lumit të Bunës duke e pyetur: “Ku i gjete këto dallgë e erëra, moj Bunë?!/ Janë lotët e derteve të motrës sime?!/ Ku i gjete tërë këto rrapëllima?/Më trego!/ Janë psherëtimat e motrës edhe këto?!”

Natyrisht, nuk ka si bëhet më bukur. Duke lexuar vargjet e tij, çdo nxënës shkolle apo pensionist, çdo ushtarak apo zyrtar i lartë, çdo pasanik apo njeri i varfër e kupton qartë se ai ka zbuluar kulminacionin e ri të gjetjeve poetike nëpërmjet rikthimit te baladat.

Kështu në baladën “Tri puntata për ditën e mësuesit”, poeti u bën apel gjithë të pasurve, gjithë deputetëve, parlamentarëve etj., duke u thënë: “Ndalni pak, parlamentarë, ju, ministra pushtetarë!... Ndalu pak e sill ndër mënd ku janë sot mësuesit tënd?”

Në vargjet e Ylli Hoxhajt ka mjaft pezëm, por nuk ka urrejtje. Qëllimi i librit të tij është një shuplakë për realitetin tonë, por jo për ta denigruar atë. Me këtë shuplakë Hoxhaj kërkon ta sjellë në vete njeriun e sotëm, i cili ka humbur identitetin e vet duke bredhur pas pasurisë dhe karrierës. Thirrja e përsëritur “ndalu pak” është në radhë të parë një këshillë për të parandaluar garën e mëtejshme të pasurimit të pandershëm dhe më tej, pasi përmend njeriun, poeti i tregon atij trafikun e kalimit drejt përsosmërisë.

Ndërsa në baladën e fundit të librit, që e ka titulluar “Bashkautorësi”, autori ngre një pyetje universale dhe të përjetshme duke thënë: “A mund t’i bënte Zoti tërë krijimet i vetëm?

Dhe në rreshtin e fundit të librit duket se poeti nuk e ka zbuluar plotësisht misterin e botës, sepse ai e mbyll librin e tij duke thënë: “E di mirë, s’arrij dot atje lart,/ E s’është puna ime/ Veç autorësinë e këtyre krijimeve/ ende s’po e kuptoj dot...”

Por nëpërmjet këtij moskuptimi personal Ylli Hoxhaj i ka bërë lexuesit që të kuptojnë plot gjëra. Ai u ka hapur atyre një diapazon, duke u dhënë në dorë njëkohësisht një pasqyrë, ku secili të shohë veten dhe të bëhet më i mirë. Dhe këtë mund ta bëjë vetëm arti i madh i gjigandëve të letërsisë, të cilët e kanë rikthyer zhanrin e baladave në eksplorues të shpirtit njerëzor...

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›