Qytetarët, të indinjuar Shitet në 130 lekë një bukë
09/01/2012 FIER- Viti 2012 erdhi tek qytetarët fierakë sërish me rritje të çmimit të bukës. Kështu, vetëm pak ditë pas kalimit të festave dhe prodhuesit e bukës kanë rendur të përfitojnë. Konsumatorët ankohen tashmë se jo vetëm rritja e çmimit, një veprim i hapur, por edhe abuzimi me peshën po vazhdon të mbetet një problem më se evident. “Ne kështu do të vuajnë nëse autoritetet shtetërore nuk ndërhyjnë në kohë. Për çdo vit qyteti i Fierit ka qenë ndër qytetet që njeh rritjen më të lartë të brumërave”, ka treguar Muhamet Gj. një qytetar. Dje një bukë 1 kg është shitur në disa dyqane të qytetit me 130 lekë, por duke pasur parasysh që edhe me peshën është abuzuar, çmimi shkon më shumë se 10 lekë i rritur. Shtrenjtimi i një prej asortimenteve kryesore të çdo tryeze duket se po ua shton edhe më shumë dhimbjen qytetarëve, të cilët dje kanë deklaruar se do ta gatuajnë vetë bukën. “Do marrë miell dhe ta gatuaj vetë bukën. Po i kthehemi periudhës së viteve të çlirimit, kur luftonin njerëzit për të mbijetuar. Por unë prapë them që ne po na shkatërrojnë institucionet që nuk funksionojnë dhe veprojnë në emër të ligjit.” A. Damini