E Shtunë, 31 Tetor 2026

Libri enciklopedik i Moikom Zeqos

Në kuadrin e 100-vjetorit te Shpalljes së Pavarësisë dhe themelimit të Shtetit Modern Shqiptar, është promovuar libri enciklopedik
“100 vjet Pavarësi – Flamuri që Ringjalli një Komb” me autorë Dr. Moikom Zeqon dhe Dëshira Jazexhiun.
Ky libër është sintezë pasqyruese dhe gjithëpërfshirëse e kësaj ngjarje të madhe në historinë e Kombit tonë.

Moikom Zeqo gjate prezantimit te librit tha se Ngjarjet e mëdha si për çdo komb tjetër edhe për ne përbëjnë thelbin e memories tonë. Ata nuk janë asnjëherë e shkuara në kuptimin kohor, por kërkojnë njohje e thellim të përhershëm, jo vetëm për brezat e sotëm, por edhe për ata që vijnë pas.

Ky liber hedh dritë mbi aktin historik të ngritjes së Flamurit më 28 Nëntor 1912 duke respektuar parametrat shkencorë, paraqitjen korrekte të ngjarjeve historike, që përgatitën dhe u finalizuan me shpalljen e Pavarësisë.

Libri “100 vjet Pavarësi – Flamuri që Ringjalli një Komb” jep informacion të saktë për figurat kryesore kombëtare, të kulturës dhe politikës, heronjtë e kryengritjeve popullore dhe në shumë raste edhe informacione e fakte historike të panjohura deri më sot që dëshmojnë seriozitetin dhe hulumtimin e ngjarjeve të asaj periudhe nga autorët.

Në libër i është dhënë rëndësi jo vetëm dokumentacionit origjinal, por edhe paraqitjes grafike, në mënyrë që lexuesi i gjerë, por edhe i specializuar, të krijojë ide sa më të sakta për ngjarjen e madhe të Shpalljes së Pavarësisë.
Ai nxjerr në pah lashtësinë e popullit tonë, me një histori të gjatë përpjekjesh tragjike, me një etje të pafundme për lirinë dhe një vullnet të paepur për të sendërtuar më në fund strukturën e përshtatshme shtetërore me barazi në raport me të gjitha subjektet shtetërore evropiane dhe të botës.

Ky libër i vlefshëm është botuar me synimin që të jetë në dorën e të gjithë kategorive të lexuesve, ndaj edhe nga autorët është bërë kujdes i veçantë në përdorimin e një gjuhe të qartë e koncize, të saktë e të kuptueshme.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›