E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Libri i At Zef Pllumit në SHBA, trondit me forcën e artit"

2500 vjet do të kalojnë dhe At Pllumi (1924-2007) ndoshta do të kujtohet nga shqiptarët si babai i historisë së përndjekjes komuniste, ashtu si bota kujton sot Herodotin si babain e historisë sepse në mënyrë sistematike mblodhi materialet, provoi vërtetësinë e tyre dhe i renditi ato në formën e një tregimi që nuk harrohet. Por ndërsa Herodoti njoftonte ato që i kishin thënë të tjerët, At Zef Pllumi tregon ato që përjetoi vetë. Ndryshe nga Herodoti që përshkruante luftën greko-persiane, At Pllumi, ironikisht, përshkruan luftën shqiptaro-shqiptare, e shembullt në histori për nga mizoritë ndoshta vetëm me revolucionet komuniste në Rusi e Kamboxhia.

"Jeto për me tregue", mund të thuhet, së është një vepër arti, pasi njeriu tërhiqet jo vetëm ta lexojë por edhe të ndalet e të mendojë për autorin, i cili shkruan për të përmbushur lutjen nënzë të bashkëvuajtësve fatkeqë dhe zotimin e tij, se do të përpiqej të heshtte që një ditë të mund të tregonte. Dhe njeriu që nuk kishte pranuar të tregonte (në hetuesi), jetoi për t'i treguar të gjitha në libër.

Për At Pllumin, shpesh, natyra e vuajtjes ndryshon; nga përndjekje, torturë, burgim, internim, e pastaj shndërrohet në forcë që paralajmëron ndryshimin e vetë vuajtjes. Në "Jeto për me tregue" forca e vuajtjes së At Pllumit shfaqet si art; dhimbja bëhet letërsi e cila nuk shpreh vetëm dhimbje; ajo bëhet një dhimbje që zbukuron apo bukuri që vret.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›