E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përtej "puçit kushtetues"

Reforma zgjedhore, nuk mund të bëhej pa prekur Kushtetutën në fuqi. Për çfarëdolloj formule apo sistemi elektoral që do të propozohej, apo qoftë edhe për të adresuar të famshmin "dushk", dispozitat materiale kushtetuese do të prekeshin, duke shmangur kështu çdo pretendim se përse duhej të prekej Kushtetuta.

Kur shtrohet çështja për përmbajtjen, në sfondin politik shqiptar konsensusi unanim do të ishte pothuajse i pamundur. Pa dashur të analizoj sistemin zgjedhor që u miratua, i cili si çdo sistem tjetër zgjedhor ka të mirat dhe dobësitë e tij, fakti që ai ka kohë që është debatuar apo që natyrshëm ka shkaktuar edhe kundërshtime të një pjese të politikës, nuk cenon aspak dobishmërinë e tij. Në fund të fundit, kur vjen puna për reformë elektorale, aktorët politikë duket të priren nga interesa të ngushta politike, që përkthehen në shifra dhe llogari, e si rrjedhim e përdorin debatin mbi Kushtetutën si alibi që përligj interesat e veçanta elektorale. Në të njëjtën logjikë mund të shihen edhe ndryshimet e tjera që lidhen me zgjedhjet, si periudha zgjedhore apo KQZ, që përveçse një debati të nisur nga interesa voluntariste politike, nuk duket se kanë në themel asgjë parimore, apo që mund të përligjë rrezikun për prekje të themeleve të shtetit, apo për të qenë një grusht për demokracinë.

Çështja e dytë e debatueshme ka lidhje me zgjedhjen e Presidentit të vendit. Ndryshimet e reja zëvendësojnë shumicën e cilësuar të zgjedhjes së Presidentit përmes një shumice të thjeshtë, në rast se dështon zgjedhja e tij me një shumicë të cilësuar. Pretendohet se ky ndryshim në mënyrën e zgjedhjes së tij ka sjellë ndryshim radikal në rolin apo pozitën e institucionit të Presidentit, kur në fakt, kompetencat e tij të parashikuara në Nenin 92 nuk preken. Kompetencat përcaktohen nga Kushtetuta dhe pozita e Presidentit ka të bëjë më tepër me garancitë që ai ka në detyrë, sesa me numrin e votave me të cilat ai zgjidhet. Të gjitha garancitë dhe raportet e tij me pushtetet e tjera nuk ndryshojnë, madje në Nenin 88, pika 2/1, zgjatet afati i fillimit të procedurës së zgjedhjes së tij, duke shmangur kështu rrezikun e krijimit të vakancës dhe si rrjedhim hapjen e një diskutimi se kush do t'i thithte kompetencat e Presidentit të Republikës.

Një pikë tjetër që duket se ka ngjallur edhe debatin kryesor, ka të bëjë me Nenet 104 dhe 105 të Kushtetutës, që rregullojnë mocionin e besimit dhe mosbesimit për Kryeministrin. Pretendimi kryesor i ngritur ka të bëjë më faktin se Kryeministrit i jepet e drejta të kërkojë shpërndarjen e Kuvendit, nëse nuk votëbesohet nga ky i fundit. Kjo e drejtë e tij ka filluar të interpretohet apriori si një diktat i Kryeministrit mbi shumicën e tij politike. Në fakt, një ndryshim i tillë duket se imponohet nga sistemi i ri zgjedhor proporcional që do të aplikohet në Shqipëri, ku ka shumë gjasa që lideri politik të jetë edhe Kryeministër i forcës politike që ka mazhorancën. Në rast se kjo mazhorancë nuk e votëbeson Kryeministrin e saj dhe nuk është në gjendje të ofrojë një Kryeministër tjetër, sipas Nenit 105 të Kushtetutës, është afërmendsh që vendi duhet të shkojë në zgjedhje të reja. Një mazhorancë që nuk ka kandidat për kryeministër dhe nuk votëbeson Kryeministrin në detyrë duhet të shpërndahet. Të paktën kështu funksionon në pjesën më të madhe të vendeve demokratike të botës. Një mazhorancë vjen në pushtet për të qeverisur dhe jo për të prodhuar kriza politike që sjellin dobësim të qeverisjes. Mesa duket, frika ka të bëjë me dominimin që do të mund të sjellë Kryeministri mbi mazhorancën e tij, si pasojë e mundësisë që ai gëzon për të shpërndarë Kuvendin. Në një politikë normale, kur një mazhorancë vetëshpërndahet, për aq kohë sa nuk ekziston një figurë tjetër alternative për Kryeministër, sipas Nenit 105, ajo e bën këtë për të testuar edhe njëherë forcën në elektorat. Nëse vetë Kryeministri dhe njëkohësisht lideri i saj është pjesë e problemit, kjo forcë politike ka gjasa t'i humbasë zgjedhjet. Në të kundërt, ky lider nuk po bën gjë tjetër veçse atë që do të bënte edhe në fund të mandatit të tij katërvjeçar, pra të rikandidohet si lider i kësaj force politike në zgjedhje. Në thelb, asgjë nuk po ndryshon përsa i përket fuqive që po merr Kryeministri karshi Kuvendit. Ajo që duket se po ndryshon është dhënia fund e një situate kaotike, ku kryeministrat nuk marrin votat nga shumica që drejtojnë, për shkak të aleancave të fshehta apo interesave të ngushta, që janë në kurriz të votuesit, i cili ka votuar duke pasur edhe një Kryeministër në mendje. Realiteti shqiptar i këtij dhjetëvjeçari, ku ndonjë kryeministër na rishfaqej si "kometë" sa herë kishte krizë në mazhorancë, së bashku me ndryshimet në sistemin elektoral, e bëjnë këtë ndryshim mëse të logjikshëm. Një sistem i tillë duket sikur i jep vërtetë peshë liderit Kryeministër, por edhe e ngarkon atë me përgjegjësi të drejtpërdrejta politike, që në rast të humbjeje të votëbesimit e mandej të zgjedhjeve, t'i hapë rrugë një drejtimi të ri. Nuk besoj se një i tillë do të angazhohej me kokëfortësi vetëvrasëse politike për të qëndruar deri në fund, pasi më shumë se këdo, do të dëmtonte forcën e vet politike në opozitë.

Përsa i përket ndryshimeve në lidhje me mandatin e Prokurorit të Përgjithshëm, "maskarada" e shkarkimit të Sollakut dhe hamendësitë juridike që ajo krijoi, nuk lënë vend për koment në lidhje me domosdoshmërinë e ndërhyrjes në këtë pikë.

Metodologjia dhe shpejtësia e ndryshimeve kushtetuese, edhe sikur të mos jetë e përkryer, të paktën nuk duhet të errësojë logjikën e debatit në lidhje me materien e ndryshimeve dhe mbi çka ato synojnë. Një politikë e tillë reaguese ka gjasa të përsërisë të njëjtat gabime, duke i konsideruar të gjitha ndryshimet apriori të gabuara dhe duke e futur politikën në një krizë të pafund legjitimiteti përballë qytetarëve. Më shumë sesa përmbajtja apo germa e shkruar, Kushtetutës do t'i jepte jetë një politikë që udhëhiqet nga interesat demokratike të vendit, larg bizantizmit politik që na karakterizon. Sado të përsosur të mund ta shkruajmë një kushtetutë, interpretuesi final i saj në rrafshin politik mbetet zakoni që vjen nga sjellja dhe janë aktorët politikë të parët, ata që duhet ta farkëtojnë këtë zakon.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›