Gates: Gaddafi do të përmbyset
Sipas vlerësimit të Pentagonit, bombardimet e NATO-s e kanë dëmtuar ushtrinë libiane, por forcat besnike të Muammar Gaddafit ende nuk janë pranë pikës së thyerjes.
“Rrëzimi i regjimit të Gaddafit, pavarësisht se do të ishte i mirëpritur, nuk është pjesë e misionit ushtarak. Pikëpamja ime është se rrëzimi i Gaddafit do të arrihet me kalimin e kohës, përmes masave politike dhe ekonomike dhe popullit libian”, deklaroi sekretari amerikan i mbrojtjes, Robert Gates.
Dëshmia e Gates para Kongresit u bë, ndërkohë që shtypi njoftoi se CIA ka dërguar ekipe në Libi për të ndihmuar kryengritësit.
Njoftimet thonë se agjentët po grumbullojnë informata për sulmet ajrore dhe për të vënë kontakte me grupet kryengritëse, që po përpiqen të rrëzojnë Gaddafin.
“Nuk mund të flas për aktivitetet e CIA-s, por po ju them se presidenti ka qenë tejet i qartë, kur flitet për ushtrinë amerikane, nuk do të ketë trupa tokësore”, theksoi Gates.
Pentagoni përllogarit se qeveria e Libisë ka 15 deri 20 mijë trupa, ndërkohë që kryengritësit kanë rreth 1 mijë luftëtarë me njohuri ushtarake.
Disa anëtarë të Kongresit kanë shprehur shqetësimin rreth mos-konsultimit mbi vendimin për të sulmuar Libinë dhe i kërkuan Gatesit të shpjegojë një operacion të suksesshëm atje.