Derbi për Scudetto

Massimiliano Allegri kurrë nuk ka përjetuar një ndeshje më të rëndësishme se derbi i së shtunës kundër Interit, ka thënë trajneri i Milanit. Lideri i Serie A hyn në përballje me dy pikë epërsi ndaj rivalit të tij të qytetit, tetë ndeshje para përfundimit të këtij sezoni.
“Është ndeshja më e rëndësishme në karrierën time”, tha Allegri.
“Do të kishte qenë mirë nëse do të kishim 10 pikë epërsi, por është po ashtu mirë të jemi në pozitë të përjetojmë një derbi si ky. Nëse fitojmë, do të krijojmë epërsi prej pesë pikëve”, u shpreh ai.
Allegri mori drejtimin e Milanit në qershor. Pothuajse i panjohur jashtë Italisë, ai kultivoi futboll ofensiv duke udhëhequr Sassuolon drejt promovimit në Serie B më 2008 e më pas kaloi në elitë te Cagliari. Kampioni Inter është në pozitën e dytë, një pikë më tepër se Napoli dhe katër para Udineses.
Milan ka marrë vetëm një pikë nga dy ndeshjet e tyre të fundit dhe mesfushori Clarence Seedorf ka thënë se derbi i së shtunës do të përcaktojë fituesin e titullit në Serie A.
“Në aspektin psikologjik ka rëndësi të madhe dhe kushdo që thotë diçka tjetër, gënjen”, tha 34 vjeçari holandez.
“Askush nuk dëshiron të largohet nga ajo fushë si humbës. Kanë kaluar shtatë vite prej kur kemi fituar Scudetton dhe ky ekip nuk ka fituar ende asgjë. Kemi humbur shumë pikë në periudhën e fundit, por tani ka ardhur koha të dalim ballë përballë dhe të tregojmë se çka mund të bëjmë. Të gjitha të mirat e ekipit duhet të tregohen të shtunën mbrëma”, deklaroi ai para ndeshjes në San Siro, që do të jetë i mbushur në kapacitet të plotë prej 80 mijë shikuesve.
Milan do të jetë pa sulmuesin e suspenduar Zlatan Ibrahimoviç, i cili shënoi golin e fitores 1-0 nga penalltia në derbin e parë të sezonit. Përfshirja e ish trajnerit të Milanit, Leonardo - i cili udhëhoqi Rossonerët drejt pozitës së tretë sezonin e kaluar – në pankinën e Interit shton edhe një element të rivalitetit.
Leonardo, i cili zëvendësoi Rafa Benitezin në dhjetor, ka bërë seri të rezultateve të shkëlqyeshme, duke ngushtuar epërsinë e Milanit nga 13 pikë në dy.
“Derbi do të vendoset nga detajet dhe shkon përtej taktikës mes dy ekipeve që janë në dy pozitat e para në tabelë. Të gjithë futbollistët i njohin kundërshtarët e tyre dhe nuk ka asgjë për të zbuluar”, tha Leonardo.
Ndërsa mesfushori Dejan Stankovic, i cili ka shënuar gjashtë gola në derbet e Milanos, ka thënë: “Ne mund të konsiderohemi favoritë për shkak të rezultateve të fundit. Kemi bërë një rikthim historik dhe nuk duhet të ndalemi në momentin vendimtar. Jam i sigurt se edhe Milan do të mundohet të dëshmojë se epërsia e tyre gjatë gjithë sezonit nuk ka qenë e rastësishme”.