E Shtunë, 31 Tetor 2026

Quinti përshëndet takimin e dy kryeministrave

(E plotësuar)Ambasadorët e Quintit kanë përshëndetur sonte takimin ndërmjet dy kryeministrave në Bruksel. Ngjashëm ka reaguar edhe Ambasada amerikane në Beograd.

“Ambasadat e Francës, Italisë, Gjermanisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë e mirëpresin takimin e parë në mes të kryeministrit të Kosovës dhe kryeministrit të Serbisë, nën kryesimin e baroneshës Ashton, ku u zotuan se do të punojnë së bashku për të vazhduar dialogun për normalizimin e marrëdhënieve në mes të dy palëve”, thuhet në një deklaratë të tyre për opinionin.

Po sot këtë takim e ka përshëndetur edhe ambasada amerikane në Beograd.

“SHBA-të mbështesin rrugën e Serbisë kah BE-ja dhe besojmë që ajo rrugë është e mundur vetëm nëpërmjet hapave konkret kah normalizimi i marrëdhënieve të Serbisë me Kosovën. Takimi i sotëm është tregues që të dyja palët i janë përkushtuar vazhdimit të dialogut dhe tejkalimit të qetë të dallimeve”, thuhet në një komunikatë të Ambasadës amerikane.

Dialogu vazhdon në nëntor

Kryeministri serb, Ivica Dacic, tha për mediat e Beogradit se takimi i ardhshëm me Thaçin do të mbahet në nëntor, ndërsa shtoi se në Bruksel nuk kishte “shtrëngim historik të duarve”.

Ai tha se Serbia nuk do asnjë dialog që rezulton me “pranimin e njëanshëm të pavarësisë së Kosovës, se dialogu duhet të jetë neutral karshi statusit dhe se secila palë të përmbahet nga hapat e njëanshëm”.

Dacici deklaroi për B92 se ky ishte takimi i tij i parë me përfaqësuesit e Kosovës, gjë që nuk vlente për Thaçin

“Thaçi na tha se ka qenë në Rambuje, se ka marrë pjesë në dialogun e Vjenës ku ishin Tadici e Kostunica, ndërsa Thaçi ishte me Çekun (Agim - v.j.) dhe Sejdiun (Fatmir – v.j.), kështu që ai ashiqare ka më shumë përvojë me bisedime. Prandaj, nuk mund të thuhet se ky sot ishte takim historik”, ka thënë Dacici, duke shtuar se ky takim nuk paraqet shmangie nga politika serbe karshi Kosovës.

Ai ka theksuar se Beogradi është i gatshëm të bisedojë për të gjitha temat, e jo vetëm për temat e veriut të Kosovës dhe institucionet paralele tek të cilat, sipas tij, insiston BE-ja

Dacici po ashtu ka thënë se është koha për marrëveshje historike mes serbëve dhe shqiptarëve, ndërsa ka theksuar se Thaçit i ka propozuar angazhime në projektet e përbashkëta ekonomike.

“Nuk mendoj që autostrada Prishtinë-Tiranë është projekti i vetëm interesant për Kosovën”, ka deklaruar kryeministri serb.

Dacici ka thënë për Tanjug se askush nuk ia zë për të madhe pjesëmarrjen në dialog, sepse kur është dashur ai bile “ka luftuar kundër Thaçit”.

“Tash duhet të bisedojmë dhe të kërkohen zgjidhjet për interes të dyanshëm”, thotë ai, transmeton telegrafi.

Thaçi: Po punoj për fëmijët tanë, për një ardhme më të mirë

Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi pas takimit me Kryeministrin e Serbisë Ivica Daçiq ka deklaruar se është takuar për të zgjidhur problemet shekullore të Kosovës me Serbinë.

“Nuk janë procese të lehta por po punoj për fëmijët tanë që të mos u lëmë probleme të së kaluarës” ka deklaruar Thaçi, transmeton Indeksonline.

Thaçi ka kujtuar se Serbia ka kryer gjenocid në Kosovë por sipas tij duhet ecur përpara dhe të punohet me parimet dhe vlerat evropianizuese.

Ndryshe, Qeveria e Kosovës ka bërë të ditur se takimi ndërmjet kryeministrit Hashim Thaçi dhe homologut të tij serb, Ivica Daçiq, nën praninë e kryediplomates evropiane, Catherine Ashton, është zhvilluar me qëllim të vazhdimit të dialogut Prishtinë-Beograd.

“Të gjitha palët në takim janë pajtuar dhe kanë shprehur përkushtimin që dialogu për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë do të vazhdojë”, thuhet në komunikatën dërguar mediave nga Zyra e Kryeministrit.

Po sipas saj, takimi do të thotë një kapitull i ri për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve sovrane.

“Ky proces patjetër që do e përshpejtojë integrimin e dy shteteve në BE dhe do të jetë në shërbim të paqes dhe stabilitetit në rajon”, citohet të ketë thënë zoti Thaçi.

Dacici - Thaçit: Kosova, sa e jotja, aq edhe e imja

Kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiq, ka thënë se takimi i radhës me kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi, do të mbahet në muajin nëntor, kur edhe Serbia të ketë përgatitur platformën e saj për bisedime.

Ai ka deklaruar për mediat serbe se temë e takimit të sotëm ka qenë “marrëveshja për dialog”.

“Qëllimi i takimit në Bruksel ka qenë të shihet nëse ka dëshirë për dialog”, ka thënë Daçiq, duke shtuar se Serbia “nuk ndryshon pozicionin e saj për qasje neutrale ndaj statusit të Kosovës.

“Mendoj se është koha për marrëveshje historike, ndërsa jemi të gatshëm edhe për bisedime rreth statusit final”, ka thënë Daçiq.

“I kam thënë Thaçit se Kosova, aq sa është e tija, është edhe e imja, sepse unë jam lindur në Kosovë”, ka shtuar Daçiq.

Kryeministri i Serbisë po ashtu ka thënë se “ka takuar njeriun, i cili në një raport të Këshillit të Evropës, dyshohet se ka tregtuar organet e serbëve në Kosovë”, por që si kryeministër “duhet të marrë pjesë në dialog”.

Në Bruksel është zhvilluar sot takimi i parë ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, homologut të tij serb, Ivica Daçiq, dhe shefes për Politikë të Jashtme të Bashkimit Evropian, Catherine Ashton.

Ashton: Takimi Thaçi - Dacic konstruktiv

Përfaqësuesja e Lartë e BE’së për Politikë të Jashtme Catherine Ashton ka thënë se takimi me Kryeministrin Thaçi dhe Kryeministrin serb Dacic, në zyrën e saj ka kaluar në atmosferë të mirë dhe konstruktive.

“Ne u pajtuam që të vazhdojmë dialogun për normalizimin e raporteve mes dy palëve dhe të dyja palët shfaqën përkushtimin për të punuar së bashku. Në do të kemi takohemi së shpejti” thuhet në njoftimin e publikuar para pak minutash.

Thaçi e Dacic në zyrë të Ashtonit

Përfaqësuesja e Lartë për Politikë të Jashtme të BE’së, Catherine Ashton ka arritur t’i bëjë bashkë sot në Bruksel, Kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi dhe atë të Serbisë, Ivica Dacic.

Sipas njoftimeve nga Brukseli, Ashton takimin e ka filluar me Dacicin, ndërsa më vonë aty ka shkuar edhe Kryeministri i Kosovës.

Njoftohet se në këto momente takimi është duke u zhvilluar mes tri palëve.

Zyrtarë e BE’së një ditë më herët kanë thënë se në këtë fazë nuk kishin planifikuar një takim të përbashkët mes dy Kryeministrave.

Gati për dialog

Parlamenti i Kosovës miratoi një rezolutë që autorizon Qeverinë për bisedime me Serbinë. Por, gjatë debatit pati akuza të forta mes PDK’së dhe Vetëvendosjes edhe për tradhti kombëtare. Dokumenti që mori shumicën kushtëzon ratifikimin në Kuvend të marrëveshjeve që do të arrihen me palën serbe.

Prej të enjtes Qeveria e Kosovës mund t’i nisë bisedimet politike me zyrtarët e Serbisë.

Këtë të drejtë ia ka dhënë Kuvendi nëpërmjet një rezolute, e cila ka marrë shumicën e votave të deputetëve të pozitës, por edhe të AAK’së e LDK’së.

Kështu, liderët e Kosovës tani e kanë rrugën çel për t’u takuar me ata të Serbisë pasi pro kësaj kanë votuar 68 deputetë, tre kanë dalë kundër, ndërsa katër kanë abstenuar.

PDK dhe aleatët e saj Rezolutën e kanë emërtuar si dokument për normalizimin e raporteve me Serbinë, ndërsa Lëvizja Vetëvendosje përmes një mbishkrimi të vendosur para foltores së Parlamentit në momentin e votimit e ka cilësuar vendimin e deputetëve si “Rezolutën të nënshtrimit ndaj Serbisë”.

Paralelisht, të enjten Qeveria e Serbisë ka shfaqur gatishmëri për t’i hyrë procesit të bisedimeve me Kosovën.

Në emër të liderëve të subjekteve politike, Shefi i Grupit Parlamentar të PDK’së, Adem Grabovci ka thënë se teksti i rezolutës është i harmonizuar mes udhëheqësve të partive më përjashtim të Vetëvendosjes.

Ndërkohë, deputetët e LDK’së kanë thënë se nuk janë njoftuar për takimet dhe pajtimin që ka bërë udhëheqësi i tyre, Isa Mustafa me Hashim Thaçin.

Madje, Nënkryetari i Parlamentit dhe LDK’së, Sabri Hamiti ka thënë se nuk u beson më as liderëve, pasi ata nuk po i zbatojnë marrëveshjet që i kanë bërë edhe më herët, siç ishte rasti me Presidenten.

Për dallim prej partive tjera opozitare, Lëvizja Vetëvendosje ka kërkuar të mbetet në fuqi vendimi i mëhershëm që kushtëzon bisedimet me Serbinë pa u zbardhur fati i të gjithë personave të pagjetur.

Sidoqoftë, rezoluta e paraqitur fillimisht nga PDK’ja nuk është votuar ashtu siç është prezantuar. Shumica e grupeve parlamentare i kanë harmonizuar qëndrimet dhe kanë sjellë versionin e fundit që ka marrë votat e shumicën së deputetëve.

Në këtë rezolutë, Qeveria autorizohet të fillojë normalizimin e raporteve me Serbinë, por në të njëjtën kohë kushtëzohet që të mos bisedojë për statusin dhe integritetin territorial të Kosovës.

“Kuvendi i Republikës së Kosovës mbështet procesin për normalizimin e marrëdhënieve midis dy shteteve të pavarura dhe sovrane, Kosovës dhe Serbisë, në interes të zgjidhjes së problemeve në mes të dy shteteve, përmirësimit të jetës së qytetarëve dhe të avancimit të agjendës evropiane për të dy shtetet dhe për rajonin”, thuhet në pikën e parë të Rezolutës.

Ndryshe prej herëve të tjera, deputetët e kanë kushtëzuar Qeverinë me dërgimin e marrëveshjeve që do të arrihen me Serbinë për ratifikim në Kuvend.

“Rezultati final i procesit të normalizimit të relacioneve midis dy shteteve do të ratifikohet nga Kuvendi i Kosovës”. Për ratifikim të dokumenteve ndërkombëtare duhen së paku 80 deputetë.

Por, as me këto kushtëzime për Ekzekutivin vetëm njëra prej partive opozitare.

Për Lëvizjen Vetëvendosje shkuarja në bisedime me Serbinë është tradhti kombëtare.

Albin Kurti ka kërkuar të kushtëzohet normalizimi i raporteve me Serbinë me kërkim-faljen ndaj krimeve që ka bërë shteti serb në Kosovë si dhe me largimin e strukturave paralele në Kosovë.

Sipas Kurtit, deputetët e Kuvendit që po votojnë dokumentin e pozitës po sillen sikur në rastin kur viktima kërkon marrëveshje me xhelatin.

Ndaj deklaratave të Vetëvendosjes ka reaguar Kryeministri Hashim Thaçi. Ai ka thënë se me Serbinë kurrë nuk do të bisedohet për çështje të brendshme të Kosovës dhe as për ndonjë status të veçantë për pjesën veriore.

“Historia nuk kthehet kurrë mbrapa dhe Kosova është e pavarur, sovrane dhe pikë”, ka thënë Kryeministri Thaçi duke e ngritur zërin në foltoren e Kuvendit.

Ndërkohë, udhëheqësi aktual i AAK’së, Blerim Shala, i cili ka qenë koordinator i bisedimeve të Vjenës, ka folur të enjten sikur të ishte pjesë e pushtetit dhe të kishte rol në dialogun e ardhshëm me Serbinë. Ai ka treguar se si duhet të shkojë procesi i përmirësimit të raporteve Kosovë-Serbi.

Sipas tij, në dialogun e ardhshëm me palën serbe duhet të respektohet Kushtetuta dhe Kuvendi ta merr rolin kryesor për të përcjellë Qeverinë.

Ai ka kërkuar që në krye të temave që do të diskutohen me Serbinë të jetë për persona të pagjetur dhe të ketë një afat kohor se ku po dëshirohet të shkohet në dialog me Beogradin.

Alma Lama e Vetëvendosjes e ka quajtur rezolutën të tredhur dhe servile, ndërsa deputeti i pavarur Emin Gërbeshi ka thënë se deputetët votuan rezolutën e turpit.

Kryetari i Kuvendi, Jakup Krasniqi nuk ka qëndruar në seancë gjatë debatit për kërkesën e PDK’së për të nxjerrë vendimin për bisedimet politike me Serbinë.

Ndërsa Fatmir Limaj ka kërkuar të mos ngutet askush për t’i hyrë një procesi.

S’u besojmë liderëve

Nënkryetari i LDK’së, Sabri Hamiti ka thënë në Kuvend të mos jetë i informuar nëse Lideri i Lidhjes Demokratike, Isa Mustafa ka dhënë pëlqimin për rezolutën që mbështet normalizimin e raporteve me Kosovën.

“LDK këtë tekst e ka marrë para dy ditësh, kur zotni Mustafa ka qenë në Bukuresht”, ka thënë Hamiti.

Për herë të parë njeriu i dytë në LDK ka thënë se nuk po i beson jo vetëm Hashim Thaçit, por as Isa Mustafës.

“Nuk është puna ju liderët, ndoshta e keni pa, ndoshta jeni pajtu, veç se më lejo z. Kryeministër juve liderëve fort nuk jemi t’u ju besu”, ka thënë ai.

Ai ka marrë shembullin e moszbatimit të marrëveshjes për Presidenten Jahjaga si fakt të humbjes së besimit në liderët e partive.

“Se ju na e keni pru një marrëveshje, treshi juaj, ju, Behgjet Pacolli dhe Isa Mustafa. Një marrëveshje të rëndë politike për interes të Kosovës që ka hyrë në Parlament. Tash, ju s’po pajtoheni për çka jeni marrë vesh. Pse të pajtohem unë tash të pajtohem, apriori - blanko për diçka që nuk e di. Ndoshta ju edhe rrini shpesh, është punë e juaj, por në këtë rast duhet të jemi konkret”, ka shtuar ai.

I pret Ashton

Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Europian për Politikë të Jashtme, Catherine Ashton, do të presë sot në takime të ndara në Bruksel Kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçin dhe Kryeministrin e Serbisë, Ivica Dacic.

Për takimet ka njoftuar Maja Kocijancic, zëdhënëse e Baroneshës Ashton, në njoftim urgjent të enjten mbrëma.

“Përfaqësuesja e Lartë, Catherine Ashton do të ketë takim nesër (e premte) në Bruksel me Kryeministrin Dacic. Ajo do të ketë edhe një takim me Kryeministrin Thaçi. Qëllimi i takimeve është që të diskutohet rruga përpara e dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Europian”, thuhet në njoftimin e Zëdhënëses Maja Kocijancic.

Pavarësisht njoftimit paksa të paqartë, burime të Express në Bruksel kanë bërë të ditur se Ashton do t’i takojë ndaras Thaçin dhe Dacicin.

“Në këtë fazë do të ketë takime të ndara”, ka thënë burimi i Express.

Takimet e fundit të nivelit të lartë të Ashton me zyrtarë kosovarë dhe serbë kanë ndodhur në fund të shtatorit në New York.

Përveç zyrtarëve evropianë, për takimet në Bruksel ka folur edhe Kryeministri i Serbisë, Ivica Dacic i cili ka thënë se Beogradi nuk ik nga bisedimet, por nuk dëshiron që përmes tyre të verifikohet pavarësia e Kosovës.

“Jemi të gatshëm për bisedime me përfaqësuesit e BE’së, institucionet e përkohshme të Prishtinës, por insistojmë në atë që të mos ketë takime të fshehta. Nuk dua që të fsheh asgjë, gjithçka që do të bëjmë do ta bëjmë në mënyrë publike”, ka thënë Dacic.

Ai ka theksuar se Serbia po i vazhdon bisedimet në një situatë të vështirë të kushtëzimeve nga Bashkimi Europian.

“Duam një dialog neutral karshi statusit, nuk vjen në shprehje që Serbia ta pranojë pavarësinë e Kosovës për shkak të datës për fillimin e bisedimeve për anëtarësim në BE. Për të gjitha çështjet tjera jemi të gatshëm për të biseduar”, ka thënë Dacic.

Ashton do të presë Thaçin dhe Dacicin një ditë pasi Kuvendi i Kosovës miratoi rezolutën që i jep dritë jeshile Qeverisë së Kosovës për të hyrë në bisedime me Beogradin.

Pavarësisht se rezoluta e Kuvendit të Kosovës flet për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, ende nuk dihet se çka do të diskutohet në procesin e bisedimeve.

Kohë më parë Kryeministri i Serbisë kishte deklaruar se edhe Brukseli i ka gjërat e paqarta për çështjen e dialogut.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›