Libri i historisë, policia ndalon protestën tek 'Çajupi'
TIRANË - Gjimnazistët e shkollës 'Çajupi' kishin njoftuar sot bojkotimin e mësimit, në shenjë proteste nga tekstit me gafa të 'Historia12'. Protesta është penguar nga drejtuesit e shkollës dhe nga policia. Të organizuar nga lëvizja "Rinia Aktive", nxënësit nuk kanë pranuar të hyjnë në orën e parë të mësimit, duke qëndruar para oborrit të shkollës. Ata thanë se "Ne kërkojmë ndryshimin e tekstit të historisë i cili është i politizuar".
Sipas nxënësve, drejtoria e shkollës ka bërë shantazh ndaj tyre dhe i ka detyruar që të hyjnë në mësim. Ndërkohë forca të policisë kanë qenë aty që në orën 08:00, kur edhe ishin lajmëruar nga shkolla për protestën e nxënësve. Ata nuk i kanë lënë të rinjtë të bëjnë asnjë lloj tubimi, por kanë larguar nxënësit që nuk kanë pranuar të hyjnë në mësim.