Berisha: Kërkesat e PS-së? T'i zgjidhim në Kuvend
Kryeministri Sali Berisha mendon se zhvleftësimi i lekut nuk ka pasoja. Ai fton gjithashtu opozitën në tryezë për kërkesat e saj dhe sugjerimet e ndërkombëtarëve
TIRANË - Kryeministri i vendit, Sali Berisha, është i mendimit se zhvleftësimi i monedhës vendase, lekut, nuk është problematik. Kryeministri Berisha pranon se një fakt i tillë ka pasoja negative për shtrenjtimin e kredive, por shton në të njëjtën kohë që kjo është krejtësisht e pranueshme.
Nga SHBA-ja, në intervistën e dhënë dje për "Zërin e Amerikës", Kryeministri Berisha ka ftuar opozitën që të ulen në tryezë dhe të jetë PS-ja ajo "që të përcaktojë rrugët e zbatimit të sugjerimeve nga arbitri ndërkombëtar."
Z. Berisha, sa e dëmton ekonominë e Shqipërisë zhvleftësimi i monedhës vendase, lekut, dhe a ishte një keqinterpretim i deklaratave tuaja që solli reagimin e tregut?
Realiteti është ky, gjatë gjithë muajve të fundit ka një dobësim që luhatet nga 7% deri në 10%, dobësim i cili nuk është problematik.
Përderisa ky dobësim nuk ka pasoja mbi indeksin e çmimeve, nuk përbën një problem serioz. Natyrisht ka pasoja pozitive dhe negative.
Pasoja pozitive është favorizimi i eksportit, pasoja negative është shtrenjtimi i kredive. Por, sidoqoftë, mendoj se është në kuadrin e një fleksibiliteti krejtësisht të pranueshëm.
Banka e Shqipërisë ka bërë një menaxhim shumë të mirë të këtij problemi, dhe në limitet e kësaj lëvizjeje është plotësisht e pranueshme. A ndikoi deklarata? Unë nuk përjashtoj një ndikim të lehtë të saj, por çështja e deklaratës ka të bëjë më shumë me një plan perspektiv dhe aspak të menjëhershëm.
Ndoshta ishte zgjedhja e papërshtatshme e fjalëve nga ana juaj...
Nuk ishte zgjedhja e fjalëve nga ana ime, ishte egoja që u dhanë mediat fjalëve të mia. Por mediat kanë të drejtën e tyre...
Z. Kryeministër, duket se në Shqipëri ende nuk është dalë nga situata paszgjedhore, pasi në Parlament nuk ndodhet opozita. A është problem për ju që të qeverisni, nëse opozita do të vazhdojë të mungojë?
Për këto zgjedhje ka një vlerësim të arbitrit, i cili thotë për herë të parë se zgjedhjet në Shqipëri, plotësuan angazhimet kryesore të organizatës së OSBE /ODHIR-it dhe se vlerësimi i përgjithshëm për to është pozitiv.
Zgjedhjet nuk ishin të përsosura, sepse zgjedhje të përsosura Shqipëria do të dojë shumë kohë për të pasur, dhe janë të pakta vendet që i kanë zgjedhjet të përsosura.
Arbitri ndërkombëtar ka bërë një seri sugjerimesh.
Opozita është e ftuar nga unë të ulet, dhe unë do t'i jap asaj të drejtën që të përcaktojë rrugët e zbatimit të këtyre sugjerimeve të arbitrit ndërkombëtar. Por zbatimi i këtyre sugjerimeve bëhet në Parlament dhe jo jashtë Parlamentit.
Në rast se opozita përcakton kushte, të cilat dalin jashtë kërkesave të bëra nga arbitri ndërkombëtar...; zgjedhjet janë sa kombëtare aq dhe ndërkombëtare, ne nuk mund t'i ngatërrojmë gjërat.
Ndaj dhe unë e mirëpres opozitën të vijë në Parlament, e garantoj se sikundër ka përcaktuar thuajse çdo gjë në kuadrin zgjedhor të këtyre zgjedhjeve, duke filluar nga sistemi tek komisionet, sërish i njoh asaj të drejtën, dhe për sa kohë të jem në pushtet, do t'i njoh të drejtën e përzgjedhjes opozitës. Ky është një qëndrim i pandryshueshëm i imi.
Pra ky është kompromisi që ju ofroni? Sepse opozita ka një numër kërkesash...
Duhet të dalë më thelbësorja. Nuk ka të dhëna për parregullsi në numërim dhe manipulim të rezultateve. Opozita ka vërejtje për numërimin, pozicionimin etj. Le të përcaktojmë rregullat. Por duhet të them një gjë.
Ky ka qenë numërim unik në botë. Është hera e parë në historinë e zgjedhjeve botërore që çdo votë filmohet, fotografohet, numërohet, transmetohet on-line në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. A ka pasur probleme në vendosjen e njerëzve ose të teknologjisë? Le të përcaktojmë rregullat se si ta përmirësojmë.
Ftesa
Opozita është e ftuar nga unë të ulet, dhe unë do t'i jap asaj të drejtën që të përcaktojë rrugët e zbatimit të këtyre sugjerimeve të arbitrit ndërkombëtar. Por zbatimi i këtyre sugjerimeve bëhet në Parlament dhe jo jashtë Parlamentit.
Në rast se opozita përcakton kushte të cilat dalin jashtë kërkesave të bëra nga arbitri ndërkombëtar...; zgjedhjet janë sa kombëtare aq dhe ndërkombëtare, ne nuk mund t'i ngatërrojmë gjërat.
Ndaj dhe unë e mirëpres opozitën të vijë në Parlament, e garantoj se sikundër ka përcaktuar thuajse çdo gjë në kuadrin zgjedhor të këtyre zgjedhjeve, duke filluar nga sistemi tek komisionet, sërish i njoh asaj të drejtën, dhe për sa kohë të jem në pushtet, do t'i njoh të drejtën e përzgjedhjes opozitës.
------------------------------------------------------------------
Në seancën plenare të datës 1 tetor, Kuvendi do t'i japë akses Bodes në fushën e përgjimeve
Kontrolli në dogana, rikthehet drafti për përgjimet
TIRANË - Ministria e Financave është e vendosur për të marrë të drejtën e përgjimit të telefonave. Për këtë qëllim, mazhoranca ka rikthyer edhe një herë në Kuvend projektligjin që bën të mundur zgjerimin e institucioneve që kanë të drejtë të kryejnë përgjimin e telekomunikacioneve, siç janë celularët dhe posta elektronike.
Faktikisht, bëhet fjalë për një draft të depozituar që gjatë vitit të shkuar në Parlament dhe madje edhe të miratuar në Komisionin e Sigurisë Kombëtare dhe tashmë propozohet të diskutohet edhe në Komisionin e Ligjeve dhe atë të Veprimtarisë Prodhuese, për t'u miratuar më pas në seancën plenare të datës 1 tetor.
Projektligji që gjatë sesionit të shkuar parlamentar u kundërshtua fort nga opozita e majtë, sidomos gjatë diskutimit të tij në Komisionin e Sigurisë, parashikon ndërmjet të tjerave të bëjë disa ndryshime thelbësore në subjektet shtetërore që kanë të drejtën e përgjimit të telefonisë celulare dhe asaj fikse, si dhe të postës elektronike.
Nisma justifikohet me nevojat që i lindin Ministrisë së Financave në luftën e saj kundër ekonomisë informale dhe evazionit fiskal.
Kështu, në relacionin shoqërues të këtij drafti shpjegohet se meqenëse në ligjin bazë përcaktohet se të drejtën për të kërkuar përgjimin e telekomunikacioneve, përveç Shërbimit Informativ, e ka edhe çdo institucion tjetër që ka në varësi të vet një shërbim informativ-policor, atëherë Ministria e Financave kërkon që të marrë të drejtën për t'i kërkuar Prokurorisë që të nisë përgjimin për të gjitha rastet që ajo dyshon se kryejnë veprime të paligjshme në fushën ekonomike.
Në këtë kontekst, duke pasur parasysh faktin se Ministria e Financave ka në dispozicion të saj forca policore të cilat veprojnë me atributet e oficerit të policisë gjyqësore, ajo kërkon që të përfshihet ligjërisht tek organet që mund të kërkojnë kryerjen e përgjimit për veprimtarinë e organeve tatimore dhe doganore.
Siç edhe arsyeton në relacion, kjo ministri shpreson që me anë të këtij ndryshimi do të bëhet e mundur që të ashpërsohet dhe të konkretizohet edhe më tej lufta kundër elementëve antiligjorë në këtë fushë.
Megjithatë, ajo bën të ditur se kjo e drejtë nuk do të ushtrohet mbi qytetarët e thjeshtë, por vetëm mbi të punësuarit nga kjo ministri në tatime dhe dogana.